Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia mund të humb rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse deri në vjeshtë nuk shënon rezultate pozitive në sferat që tashmë janë apostrofuar si problematike nga Komisioni Evropian.

Drejtuesit e institucioneve nuk komentojnë një mundësi të tillë, të cilën nuk e përjashtojnë njohësit e çështjeve integruese.

Ata këtë e mbështesin edhe në deklaratën e fundit të komisionerit, Stefan Fyle, se Maqedonia ka mundësi të kthehet pas në procesin e integrimit euroatlantik.

“Po, mekanizmi ekziston dhe Komisioni Evropian në raportin e vjeshtës mund të dal me qëndrim se këtë vit nuk do të ketë rekomandim për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë nëse nuk do të ketë rezultate sa i përket përmbushjes së kriterit politik. Këtë e theksoi edhe komisioneri Fyle në deklaratën e fundit se Maqedonia ka gjasa që të kthehet pas në procesin e integrimit. Kjo, ndryshe nuk interpretohet, përveç se humbjes së rekomandimit për nisjen e bisedimeve“, thotë Bojan Mariçiq nga Qendra maqedonase për edukim evropian.

Ai thotë se përveç çështjes së pazgjidhur të emrit, që është kushti kryesor për nisjen e bisedimeve me BE-në, tani si kriter shtesë paraqitet edhe kriza politike, që e ndërlikon edhe më shumë gjithë procesin

“Në një situatë të tillë kur kemi Kuvend me ligjimitet të kontestuar, kur është vënë në pikpyetje funksionimi i gjithë sistemit politik, është vështirë të pritet që Komisioni Evropian të dalë me qëndrimin se në Maqedoni ka përparim apo nivel të kenaqshëm të reformave dhe zhvillimit të demokracisë“, thotë Mariçiq.

Sipas të cilit, shqetësues është edhe fakti i anulimit të vizitës së komisionerit Fyle në Maqedoni, por edhe anashkalimi i saj nga kryetari i Komisionit evropian, Baroso, i cili, pritet të vizitojë Beogradin dhe Tiranën, por jo edhe Shkupin.

Kjo, sipas tij, flet shumë se të gjitha shtetet tjera përveç Maqedonisë, vazhdojnë të ecin me ritën të shpejt në rrugën e integrimit euroatlantik.

Edhe Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare, nuk përjashton mundësinë e humbjes së rekomandimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë.

“Komisioni ka mundësi të jep rekomandim negativ dhe eventualisht nëse kjo ndodhë mendoj se Komisioni do të përqendrohet apo bazohet në këto çështje, së pari në bojkotin e opozitës, pastaj në zgjedhjet, të cilat edhe pse u vlerësuan të qeta megjithatë ato nuk siguruan garë të barabartë, fer dhe demokratike për të gjithë pjesëmarrësit në to, ndërsa çështja tjetër më kryesore ka të bëjë me lirinë e shprehjes, apo përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe rangimit e Maqedonisë në vendin e 124-të pas rënies së fundit për 12 vende“, thotë Kadriu duke mos harruar edhe kriterin kryesor, atë të çështjes së paszgjidhur të kontestin me Greqinë.

Kryeministri Nikolla Gruevski, në fjalimin e fundit në Kuvend tha se qeveria e re mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit duke e vendosur si një nga dy prioritetet kryesore të saj.

Por, Gruevski përsëriti qëndrimin kundërshtues për ndërrimin e emrit të Maqedonisë, që është edhe kushti kryesor për integrim. Ai tha se qeveria e tij me asnjë çmim nuk do të pranoj të heq dorë nga gjuha, kultura dhe identiteti maqedonas.

Por, ndryshe nga Gruevski, partneri i tij shqiptar në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, është kërcënuar me zgjedhje të jashtëzakonshme nëse në vjeshtë nuk zhbllokohet procesin integrues.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e ka marr në vitin 2005 ndërsa nga viti 2011 ajo tre vite me radhë merr rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

XS
SM
MD
LG