Ndërlidhjet

Kosovë: Dënimi i parë për dhunim si krim lufte


(Ilustrim)

(Ilustrim)

Për herë të parë në Kosovë, dy persona janë dënuar për dhunimin e një 16 vjeçareje gjatë luftës duke e trajtuar veprën e tyre si krim lufte.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të EULEX-it, por në atë komunikatë nuk është dhënë asnjë detaj se për kë bëhet fjalë.

Njoftimi thotë se prokurori i rastit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Të pandehurit kryen një krim të rëndë lufte kundër një femre të cënueshme civile të moshës 16 vjeçare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e EULEX-it.

“Të dy të pandehurit në këtë rast u dënuan për dhunim si krim lufte, duke e bërë këtë vendimin e parë të këtij lloji në Kosovë. Derisa u desh shumë kurajë për të gjithë dëshmitarët e prokurorisë që të japin dëshmi, për viktimën e dhunimit kjo ishte edhe më e vështirë. Gjatë gjithë procedurës identiteti i saj ishte i mbrojtur dhe ajo u lejua të japë dëshmi në gjykim të mbyllur. Prokurori shpreson që ky dënim do t’i inkurajojë femrat dhe meshkujt e tjerë të guximshëm të flasin për dhunën seksuale të cilën e kanë përjetuar gjatë luftës, pavarësisht kush ishin kryesit e këtyre akteve dhune”, thotë në fund komunikata e misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX.

XS
SM
MD
LG