Ndërlidhjet

logo-print

Liderët politik të bllokut LDK, AAK dhe Nisma kanë zhvilluar të premten një takim në përpjekje të koordinimit të hapave për krijimin e qeverisë së re nga opozita.

Ndonëse ende nuk e kanë marrë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë hap, ky bllok ka shqyrtuar edhe listën prej 9 kërkesave të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kjo parti politike i ka vënë si parakushte për mbështetjen e këtij blloku për themelimin e qeverisë.

Mes tjerash, Vetëvendosje u ka kërkuar këtyre partive që të ndërtojnë një pozicion tjetër karshi dialogut me Beogradin dhe marrëveshjeve të arritura.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së Ramush Haradinaj dhe ai i partisë Nisma, Fatmir Limaj pas takimit të përbashkët janë deklaruar se do t'i vazhdojnë konsultimet edhe ditëve në vijim.

Ndërsa përpjekjet e partive jo fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë po vazhdojnë, analistët politikë parashohin shumë sfida deri te konstituimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Analisti Imer Mushkolaj parasheh sfida qysh në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, para se çështja të vijë te zgjedhja e qeverisë së re.

Sipas Marrëveshjes LDK, AAK dhe Nisma, posti i kryeministrit do t'i takonte Ramush Haradinajt, kurse ai i kryetarit të Kuvendit Isa Mustafës.

Megjithatë, te pika e marrëveshjes për kryetarin e Kuvendit, Mushkolaj parasheh probleme, pasi që aktet ligjore, sipas tij, nuk e parashohin që ky post t'i takojë një partie që nuk e ka shumicën në Kuvend.

"Konsideroj që ndarja e posteve nga koalicioni pas-zgjedhor i partive humbëse, por që po vetë-quhen fituese ka qenë i ngutshëm, sepse rregullorja e Kuvendit qartë e thotë se në fillim procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit duhet ta filloj partia më e madhe, fituese e zgjedhjeve që në këtë rast është PDK-ja", thotë Mushkolaj.

Ndërkohë, publicisti dhe analisti Belul Beqaj thotë për Radion Evropa e Lirë se gatishmëria e tre liderëve të partive jo fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë, ka nxjerrë në pah një element jo të mirë, ngaqë këta liderë para se të unifikojnë pozicionet rreth një programi qeverisës janë unifikuar për të marrë pushtetin.

"Blloku i cili po mendon se e ka shumicën mund të jetë një nga ata që mund ta formojnë qeverinë, realisht por edhe ky bllok do të ketë probleme dhe vështirësi të mëdha për ta ushtruar pushtetin për shkak të interesave të caktuara dhe mos akordimit të programeve unike që presin qytetarët e Kosovës", vlerëson Beqaj.

Sipas analistit, Belul Beqa për qytetarët e Kosovës nuk është shumë me rëndësi që disa parti politike janë të interesuara të rrënojnë pushtetin e Hashim Thaçit dhe PDK-së sa është me rëndësi zhvillimi i vendit.

"Nuk është me rëndësi se përse janë këta unik për rrënimin e pushtetit të Hashim Thaçit. Ndoshta edhe duhet ta kenë këtë si hapin e parë, por ky hap duhet të përcillet me aktivitete, programe dhe angazhime të cilat japin përgjigje të shumta për nevojat e shumta ekonomike, politike, sociale, juridike, të sigurisë karshi qytetarëve të Kosovës", thotë Beqaj.

Përveç gatishmërisë së shprehur për koalicion qeverisës, blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma që së bashku përbën 47 deputetë, mund të jetë i varur në vazhdimësi nga mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar 16 ulëse në Kuvend.

Por kjo e fundit, këtë mbështetje e ka kushtëzuar me listën prej 9 parakushteve, të parashtruara si kërkesa.

Qeveria e Kosovës, mund të formohet me të paktën 61 vota të deputetëve, por për të qenë funksionale, llogaritet se duhet të ketë një mbështetje shumë më të fuqishme.

Kurse në këso rrethana, analisti Imer Mushkolaj beson se një qeveri e tillë e brishtë, edhe nëse do ta lejonte Kushtetuesja që të formohej, do ta ketë të vështirë të qeveriste për një mandat të plotë dhe më shumë parasheh mundësinë e krijimit të një qeverie kalimtare.

"Unë besoj se pavarësisht se nuk do të quhet e tillë, do të jetë njëfarë lloj qeverie e ashtuquajtur 'teknike' e këtyre subjekteve, po flasim nëse arrijnë së pari ta bëjnë qeverinë dhe konsideroj se mbase nuk do të mbërrijmë as në gjysmë të mandatit të tyre si koalicion qeveritar dhe do të shkojmë në zgjedhje të reja", thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të deklaratave të së premtes të liderëve të LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma, ditët në vijim do të organizohet edhe një takim me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Po ashtu, ky bllok nuk është parë ende të takojnë edhe përfaqësuesit e pakicave, të cilët sipas Kushtetutës duhet të jenë pjesë e qeverisë, pavarësisht se nga cili bllok udhëhiqet.

Ndërkohë që partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja e Hashim Thaçit, është deklaruar se hapat për krijimin e qeverisë do t'i ndërmarrë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin final, por i cili do të certifikohet pasi që të kaloj edhe afati ligjor i ankesave.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG