Ndërlidhjet

Qytetarët 70 milionë euro borxh shtetit


Janë rreth 70 milionë euro që qytetarët e Kosovës i kanë borxh dy kompanive publike që ofrojnë shërbime për konsumatorët.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” që nga paslufta deri më tani, është 50 milionë euro.

Derisa në Kompaninë “Pastrimi”, janë rreth 20 milionë euro borxhe të qytetarëve.

Zyrtarë të këtyre dy kompanive thonë se borxhet e qytetarëve ndaj tyre janë bërë barrë e madhe. Ka familje në Kosovë, të cilat asnjëherë, thonë ata, nuk i kanë kryer obligimet për shërbimet që kanë marrë.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale “Ujësjellësi”, Arieta Mjeku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për borxhet e qytetarëve.

“Borxhi total i të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimeve që nga paslufta arrin në rreth 50 milionë euro. Një familje, e cila nuk e ka paguar asnjëherë borxhin, po flas për sektorin e amvisërisë, që nga pas lufta deri më tani mund të ketë një borxh prej 1 mijë eurosh”, bën të ditur Mjeku.

Ajo tregon se për të gjithë konsumatorët, të cilët kanë borxhe, iu ofrojnë lehtësi në pagesa. Konsumatorët, shton ajo, mund të paguajnë 30 për qind të borxhit dhe pjesën e mbetur ta ri-programojnë me këste mujore prej 12 deri në 36 muaj, në të kundërtën, siç thekson Mjeku, ata të cilët nuk paguajnë, do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Ne po dalim në terren me ekipet e shkyçjes nga ujësjellësi dhe kanalizimi, jemi në terren së bashku me Policinë e Kosovës dhe jemi duke aplikuar shkyçje individuale dhe jo shkyçje kolektive, pra jemi duke shkuar shtëpi në shtëpi, apo biznes në biznes që, fillimisht të njoftohen me një vërejtje se do të shkyçen nga sistemi i rrjetit nëse nuk e bëjnë pagesën me datën e caktuar, apo nuk nënshkruajnë kontratën e shërbimit për shlyerjen e borxhit që e kanë për kryerjen e shërbimeve për ujësjellës dhe kanalizim”, shpjegon Mjeku.

Shumë qytetarë nuk i kanë kryer obligimet e tyre edhe ndaj Kompanisë Rajonale “Pastrimi”. Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj kësaj kompanie është rreth 20 milionë euro.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnore Ademi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se mospagesa e obligimeve që qytetaret kanë ndaj kësaj kompanie, po iu shkakton atyre probleme financiare.

“Borxhi i qytetarët apo klientëve që Kompania ‘Pastrimi’ iu kryen shërbime arrin vlerën e mbi 19 milionë eurove. Këtu përfshihen edhe institucionet dhe bizneset e mëdha që kapin shifrën 6 milionë euro. Në këtë borxh janë edhe amvisëritë me rreth 12 milionë euro dhe konsumatorët e tjerë”, tregon Ademi.

Ky borxh, shton Ademi, është grumbulluar gjatë 15 vjetëve të fundit.

Edhe Kompania “Pastrimi” iu mundëson qytetarëve që të ri-programojnë borxhin e tyre dhe ta paguajnë atë me këste.

“Kompania ‘Pastrimi’, si institucion publik, kërkon edhe përkrahjen institucionale pasi që ne, si kompani, nuk kemi asnjë formë kushtetuese siç e kanë kompanitë tjera. Pavarësisht që qytetarët nuk i kryejnë obligimet, kjo kompani i kryen shërbimet për ta. Për momentin “Pastrimi” është duke u ballafaquar me probleme financiare”, shton Ademi.

Një borxh mjaft të madh ndaj këtyre kompanie kanë familjet me asistencë sociale, të cilat janë të liruara nga pagesa, por që institucionet e Kosovës ende nuk u kanë dhënë ndonjë përgjigje këtyre kompanive se çfarë do të bëhet me këto borxhe.

Vetëm në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” këto familje kanë borxh rreth 9 milionë euro.

XS
SM
MD
LG