Ndërlidhjet

Maqedoni: Masat populiste për zgjidhjen e problemeve sociale


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Qeveria e Maqedonisë, që nga votimi i saj, dhjetë ditë më parë në Kuvend, ka miratuar një sërë vendimesh e propozim-ligjesh, me të cilat synon të ndihmojë familjet e varfra, të papunët, pensionistët, studentët e kategori tjera të qytetarëve.

Vendimi i parë kishte të bëjë me shlyerjen e borxheve të energjisë elektrike, të kredive bankare, pastaj përgatitjen pa pagesë të eleborateve për legalizimin e objekteve, transport pa pagesë për pensionistë, lirime për studentet dhe paketa tjera sociale për të papunët.

Por, masat e këtilla kanë nxitur reagime të ndryshme në opinion nëse bëhet fjalë për masa populiste apo vendime që mund të zgjidhin kërkesat e shtresave më të goditura të popullatës në Maqedoni.

Kryeministri Nikolla Gruevski thotë se Qeveria po realizon premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore dhe se me këto masa, qytetarët do të kenë përfitime të mëdha.

“Ne vlerësojmë se me këto masa të reja që kemi miratuar, do të ndikojmë në përmirësimin e pozicionit të qytetarëve dhe se pozitivisht do të ndikojnë në realizimin e nevojave dhe interesave të tyre“, thotë Gruevski duke paralajmëruar edhe masa tjera, të cilat, beson se do të ndikojnë edhe më shumë në zbutjen e gjendjen së rënduar ekonomike të familjeve me asistencë sociale, si dhe të kategorive tjera.

Por, ndryshe mendojnë nga Oda ekonomike e Maqedonisë veri-perëndimore. Drejtori i saj, Arben Halili thotë se bëhet fjalë për masa, të cilat synojnë riparimin e përkohshëm të problemeve, por jo edhe zgjidhjen e tyre të përhershme.

“Ne jemi të interesuar që qytetarët të mos kenë nevojë që në vazhdimësi dhe pas çdo cikli zgjedhor apo parazgjedhor të ndeshen me të njëjtën ofertë afatshkurtër, apo të joshen me oferta për zgjidhjen jo të këndshme të problemeve të tyre, sepse qytetarët kanë më shumë probleme ashtu siç kanë edhe kompanitë, andaj ne nuk mund të themi se masat e propozuar kohëve të fundit janë të mjaftueshme”.

“Po, ato janë të mirëseardhura, sepse për pak kohë i bëjnë të harrojnë problemet e përditshme, por sigurisht se nuk janë masa të qëndrueshme që zgjidhin problemet në mënyrë afatgjate“, konsideron Halili, duke kërkuar hartimin e masave konkrete për zhvillimin e ekonomisë, ndihmë për idetë që mund të paraqiten për bërjen e biznesit, pasi vetëm në mënyrë mund të hapen vende të reja pune dhe rrjedhimisht të ketë edhe perspektivë për qytetarët.

Sipas ekspertëve, qeveria më shumë është e përkushtuar në propagandë mediatike, se sa në masa të reale për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale.

“Ne kemi shumë rrëfime apo prononcime për sukseset e qeverisë, por realiteti tregon se ne kemi probleme të mëdha ekonomike. Së pari, në kemi rritje të ulët ekonomike dhe kjo nuk lë hapësirë për rritjen e standardit jetësor të punëtorëve, të qytetarëve, familjeve tona e kështu me radhë. Nga qeveria, thonë se kemi rritje ekonomike, por sa këtë e ndiejnë qytetarët?!"

"Rritja ekonomike mund të arrijë edhe më shumë se 3 apo 4 për qind sa pretendon qeveria, por kjo nuk do të kishte peshë nëse kjo nuk reflektohet te qytetarët, nëse ata nuk e ndiejnë këtë në standardin e tyre jetësor“, thotë Petar Goshev, ekspert i ekonomisë dhe ish-guvernator i Bankës Popullore.

Ekspertët theksojnë nevojën edhe të masave tjera si investime në infrastrukturë me qëllim tërheqjen e investimeve nga jashtë, rritjen e importit, garantimin e sigurisë dhe të drejtës së pronës, pavarësinë e gjyqësorit, e kështu me radhë.

XS
SM
MD
LG