Ndërlidhjet

Rriten investimet - vlera e pamjaftueshme


Ilustrim
Ilustrim

Investimet e huaja direkt në Kosovë kanë shënuar rritje vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, vlera e investimeve të huaja në dhjetor të vitit 2013 ka arritur në 258.9 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 13.2 për qind në krahasim me vitin 2012, kur këto investime ishin 230 milionë euro.

Kjo rritje e investimeve është gjeneruar kryesisht nga fitimi i ri-investuar i kompanive që operojnë në Kosovë, i cili ka shënuar rritje prej 56.9 për qind, duke arritur vlerën prej 71.6 milionë eurosh.

Rritja e investimeve ndërkombëtare konsiderohet lajm i mirë, por vlera e tyre është e vogël me nevojat që ka tregu dhe ekonomia e Kosovës, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se me gjithë faktin se ri-investimet e kompanive ekzistuese janë të favorshme për tregun kosovar, ka faktorë të tjerë, të cilët pengojnë ardhjen e investitorëve të rinj që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.

“Te mungesa e investimeve të freskëta, në mesin e faktorëve që pengojnë këtë proces pa dyshim janë faktorët e korrupsionit dhe pasiguria, si dhe barrierat burokratike tarifore dhe jo tarifore. E, kur shprehen në tregues analitikë, del se investitorët ende presin shumë për kontrata, presin shumë për leje, projekte, të cilat janë të lidhura direkt me administratën shtetërore, si në nivelin lokal, po ashtu edhe atë qendror”, thotë Ramosaj.

Në Kosovë, gjatë periudhës 2008 - 2011 investimet e huaja kanë mbajtur një nivel të ngjashëm prej mesatarisht 8.3 për qind të bruto Produktit të Brendshëm.

Ndërkaq, në vitet 2010-2011 vlera e këtyre investimeve filloi të rritet përsëri, megjithëse me një ritëm të ngadalshëm.

Ndërkohë, trendi u përkeqësua dukshëm në vitin 2012 duke arritur në rreth 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm.

Naim Gashi, gjithashtu profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se problemet politike, me të cilat është ballafaquar Kosova në vitet e fundit, sidomos problemet me pjesën veriore të Mitrovicës dhe përplasjet e brendshme politike, kanë dekurajuar investitorët e jashtëm për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë

“Një nga faktorët kryesorë dekurajues për investimet ndërkombëtar është funksionimi i rendit dhe ligjit. Ne nuk mund të pretendojmë të kemi investime të jashtme përderisa lëndët në gjykata presin nga dy e tre vjet. Pastaj, duhet bërë përmirësimi i infrastrukturës publike dhe shoqërore, përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore dhe lehtësimi i kalimeve në pikat doganore të Kosovës”, vlerëson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave zyrtare, struktura e Investimeve të Huaja Direkte ishte kryesisht e përqendruar në sektorin e patundshmërisë me 35.4 për qind, ndërtimtari 15.1 për qind, transport dhe telekomunikacion 14.2 për qind si dhe sektorin e shërbimeve financiare 11.0 për qind.

Kurse, ndër shtetet, të cilat kanë realizuar pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë mbetet Turqia me 86.8 milionë euro, pasuar nga Zvicra me 41.7 milionë euro, Gjermania 21.7 milionë euro dhe Shqipëria me 20.5 milionë euro.

XS
SM
MD
LG