Ndërlidhjet

"Parajsa" e institucioneve mikrofinanciare


Rreth 24 për qind ka arritur norma efektive e interesit për kreditë e lëshuara nga institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend, nga 23.5 për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës (BQK).

Normat e larta të interesit për kredi, siç duken janë arsye edhe të rënies së aseteve të sektorit mikrofinanciar.

Sipas Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë, të realizuar nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, thuhet se në tremujorin e parë të këtij viti, kreditë kanë shënuar rënie vjetore për 2 për qind.

Rënia, sipas raportit, kryesisht i atribuohet aktivitetit më të ngadalshëm kreditor.

Kreditë për biznese kanë shënuar rënie vjetore prej 6.7 për qind, kurse kreditë për ekonomitë familjare kanë shënuar rritje vjetore prej 0.4 për qind.

Në anën tjetër, ekspertët për çështje ekonomike në Kosovë, kamatat e kredive në këto institucione i konsiderojnë jashtëzakonisht të larta.

Këto organizata, sipas tyre, në politikat e veta zhvillimore duhet të gjejnë mënyra të ulin kamatat e kredive dhe njëherësh ndaj këtyre institucioneve të forcohet mbikëqyrja nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, megjithatë thotë se marrja e kredive në këto institucione është zgjedhje e klientëve.

"Normal se normat janë të larta, por është zgjedhje e klientëve. Ata askush nuk i ka detyruar që të jenë huazues të këtyre institucioneve. Kanë gjetur një formë të huazimit të parasë apo kanë pasur probleme më ndonjë bankë komerciale, kurse aty e kanë pasur më lehtë të depërtojnë dhe kanë pranuar çmimin që kanë ofruar”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, profesori Naser Graiçevci, thotë se roli dhe kontributi i institucioneve mikrofinanciare ka qenë i nevojshëm dhe efektiv në periudhën e pasluftës.

Ato kanë kontribuar në mënyrë të prekshme, thotë ai, në vendet rurale ku sistemi bankar nuk ka qenë i zhvilluar. Por, tashmë këto institucione duhet të lëvizin kamatat në mënyrë pozitive.

Graiçevci shprehet se institucionet financiare dhe ato mikrofinanciare kanë gjetur “parajsën” në Kosovë, sa i përket zhvillimit të politikave të tyre dhe mbajtjen në nivel të lartë të normave të interesit.

Normat e interesit jo se janë të larta po janë mega-të larta, është diçka e pakonceptueshme për gati asnjë kategori, apo në asnjë vend tjetër nuk besoi se kemi një normë të tillë. Efektet e veta kanë qenë më herët, këto institucione kanë ndihmuar shumë vendet rurale por edhe gratë në biznes të vogël, por tashme më këto kushte mendoi se institucionet mikrofinanciare duhet të fillojnë të lëvizin në aspektin e uljes se normave të interesit”, thekson Graiçevci për Radion Evropa e Lirë

Sidoqoftë, Ibrahim Rexhepi, thotë se zhvillimi ekonomik nuk mbështetet në institucionet financiare dhe qëllimi i tyre nuk e ka këtë qasje.

Ato edhe pse janë organizata jofitimprurëse, me koston e shërbimeve, sipas Rexhepit, janë pak të dobishme për interesin e përgjithshëm, pos vetëm për interesin e atyre që kanë themeluar apo menaxhojnë ato.

"Çështja tjetër që është edhe më e rëndësishme mbi këto institucione duhet të forcohet edhe më shumë kontrolli i Bankës Qendrore të Kosovës e posaçërisht BQK-ja dhe Ministria e Administrimit Publik të ndërtojnë raporte dhe të krijojnë forma se si duhet të fuste nën kontroll këto institucione dhe si ato të jenë përgjegjësi më e madhe e Bankës Qendrore dhe jo e dikujt tjetër”, shprehet Rexhepi.

Në Kosove operojnë 14 institucione mikrofinanciare. Këto institucione janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta.

Ndërkaq, disa nga to, japin gati të gjitha llojet e kredive që ofrojnë edhe bankat komerciale.

XS
SM
MD
LG