Ndërlidhjet

Nisin punimet në pjesën e dytë të varrezës masive


Punimet në Rashkë, foto nga dhjetori i vitit 2013.
Punimet në Rashkë, foto nga dhjetori i vitit 2013.

Hulumtimet për gjetjen e mbetjeve mortore, të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, janë ende duke vazhduar në Rudnicë të Rashkës.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, tha për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të punëve në pjesën e parë të varrezës në Rudnicë, të hënën kanë nisur punët në pjesën e dytë të asaj ane, ku dyshohet për mbetje mortore.

Varreza gjendet në Rashkë të Serbisë, në afërsi të kufirit me Kosovën.

"Kemi filluar me incizimin e lokacionit, eskalatorët janë këtu. Do të thotë ka filluar puna në atë pjesën përballë në të ashtuquajturën Rudnica II. Punës iu kemi qasur nga pjesa e epërme dhe do të shohim se çka do të ndodh në ditët në vijim”, tha Gërxhaliu.

Deri më tash, patologët kanë arritur të nxjerrin 45 trupa nga varreza masive në Rashkë, dhe rreth 87 mbetje të tjera trupore.

Gërxhaliu tha se pas fillimit të kërkimeve të reja dyshohet se mund të gjenden mbetjet mortore të 50 viktimave.

“Pritet që 20 deri 30 ditë punë që së paku të bëhet largimi i dheut, sipas ekspertëve serbë të cilët janë të angazhuar në këtë proces. Llogaritet të largohen diku rreth 4 mijë kubik dhe ne dyshojmë se aty mund të dalin diku rreth 50 trupa apo emra të rijnë”, u shpreh Gërxhaliu.

Në këtë lokacion, janë duke kryer hulumtimet ekspertë nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, ekspertë nga misioni i EULEX-it, ekspertë nga Serbia, Kryqi i Kuq ndërkombëtar e ICMP.

Nga ana tjetër, Afrim Hoti nga fshati Rrezallë, komuna e Skenderajt, të cilit para pak kohe i është gjetur një anëtar i familjes thotë se nga gërmimet në Rashkë presin edhe gjetjen e disa të afërmeve të tjerë të cilët janë të zhdukur.

“Na kanë njoftuar se janë gjetur mostrat e vëllaut në Rashkë, por unë aty supozoj se e kam babën edhe axhën edhe disa të tjerë. Mendoj se atje po punohet, por ngadalë po ecin punët. Kur ma kanë vrarë vëllanë, e kanë vrarë edhe babanë e shumë të tjerë dhe tash po na e merr mendja që edhe të tjerët do të gjinden aty”, thekson Hoti.

Ndryshe, autoritetet kosovare nuk janë shprehur të kënaqura me bashkëpunimin që kanë me Serbinë, kur bëhet fjalë për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur.

Në Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta që nga viti 1999.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukur Prenk Gjetaj, ka theksuar se fati i personave të zhdukur nga Kosova, mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, dhe se puna e këtij komisioni është duke u bërë në dy drejtime; në identifikimin e vendeve të dyshimta për varre individuale apo masive si në Kosovë po ashtu edhe në territorin e Serbisë.

XS
SM
MD
LG