Ndërlidhjet

Ukraina vazhdon ofensivën kundër kryengritësve në lindje

  • RFE /RL

Ukrainë

Ukrainë

Qeveria e Ukrainës thotë se forcat e saj e kanë lansuar përsëri një “operacion antiterrorist” kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të këtij vendi, pasi dështoi armëpushimi 10 ditësh për zgjidhjen e krizës.

Kryesuesi Oleksandar Turchynov, i tha sot Parlamentit të Ukrainës se “këtë mëngjes, faza aktive e operacionit antiterrorist ka vazhduar dhe se forcat tona po i sulmojnë bazat dhe pozicionet e terroristëve”.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, mbrëmë vonë ka shpallur se nuk e vazhdon armëpushimin dhe se forcat e Ukrainës do ta fillojnë ofensivën.

“Ne do të sulmojmë dhe ta çlirojmë tokën tonë. Moszgjatja e planit të armëpushimit është përgjigjja jonë ndaj terroristëve, kryengritësve dhe plaçkitësve, ndaj të gjithëve që i torturojnë civilët, e paralizojnë ekonominë e vendit, i shkatërrojnë pagesat e rrogave, të pensioneve dhe bursat, ata të cilët i hedhin në erë stacionet e trenave dhe i shkatërrojnë gypat e ujit, ata të cilët nuk i lejojnë popullit jetë paqësore dhe normale”, tha Petro Poroshenko, në një video të publikuar në faqen e presidencës së Ukrainës në Internet.

Kjo deklaratë u bë pasi Poroshenko u takua me shefat ushtarakë dhe ata të sigurisë.

Raportohet se ka pasur akuza të ndërsjella se armëpushimi ishte shkelur në mënyrë të vazhdueshme nga të dy palët.

Më herët muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pat njoftuar se 27 ushtarë ukrainas ishin vrarë prej 20 qershorit kur kishte filluar armëpushimi.

Agjencia Interfax-Ukrainë i ka cituar militantët pro-rusë që kanë thënë se forcat e Ukrainës e kishin vazhduar hedhjen e predhave në qytetin Kramatorsk.

Vendimi i Poroshenkos u bë pas bisedës telefonike me liderët e Rusisë, Gjermanisë dhe Francës.

Duke e komentuar bisedën telefonike ndërmjet Poroshenkos dhe presidentit rus, Vladimir Putin, së bashku me presidentin e Francës, Francois Hollande, dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov është shprehur lidhur me një propozim të presidentit rus.

Presidenti i federatës Ruse, Vladimir Putin, e ka paraqitur sugjerimin për t’i ftuar rojet kufitare ukrainase si vëzhgues në pjesën ruse të postblloqeve për kontroll të përbashkët kufitar; po ashtu për t’i thirrur vëzhguesit nga OSBE-ja në po këto postblloqe, në mënyrë që masat e një mbikëqyrjeje të paanshme të mundësojnë pastrimin e çfarëdo dyshimi se si po shfrytëzohen këto postblloqe”, tha Sergei Lavror në Moskë.

Por sipas tij, kjo ftesë për kufitarët ukrainas dhe vëzhguesit e OSBE-së mund të jetë e hapur vetëm për periudhën e armëpushimit.

Zoti Poroshenko tha se është i gatshëm t’i kthehet armëpushimit “në çdo moment” nëse bëhet e qartë se të gjitha palët kanë vullnet t’i përmbushin të gjitha aspektet e planit të paqes, përfshirë edhe atë të lirimit të personave të rrëmbyer dhe për krijimin e kontrollit efektiv të kufirit.

Poroshenko tha se armëpushimi ishte pjesë e planit të tij të paqes dhe se ishte ndjekur me amnistinë për luftëtarët që nuk kanë bërë krime serioze dhe me lëshime politike, siç është ai për zgjedhjet e parakohshme lokale dhe rajonale dhe për mbrojtjen për rusishtfolësit.

Në kuptimin afatgjatë, plani do të kishte prodhuar ndryshime kushtetuese për decentralizimin e autoritetet në rajone. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG