Ndërlidhjet

Presin Gjykatën Kushtetuese


Ilustrim©Shutterstock

Ilustrim©Shutterstock

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me hapat kushtetues që duhet ndjekur për formimin e qeverisë mund të jetë vendimtar nëse Kosova do të arrijë të kaloj këtë ngërç politik apo jo.

Pozicionimi i partive jofituese të zgjedhjeve që të refuzojnë çdo formë bashkëqeverisje me partinë fituese, aktualisht ka lënë si mundësi vetme opsionin e formimit të qeverisë nga opozita.

Analisti i Institutit Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj thotë se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve pason rrjedhja e afatit ligjor për konstituimin e institucioneve.

"Brenda periudhës prej 30 ditëve do të duhej konstituuar Kuvendi i ri i Kosovës. Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja shpallë mandatarin për formimin e qeverisë nga partia apo koalicioni që e ka shumicën e nevojshme që për një periudhë prej 15 ditëve të propozojë për miratim para Kuvendit përbërjen e qeverisë".

"Nëse herën e parë nuk zgjidhet, atëherë shkohet në raundin e dytë, por këtu Kushtetuta është paksa e paqartë sepse thotë sipas të njëjtës procedurë, andaj edhe çështja është në Gjykatën Kushtetuese", ka thënë Selmanaj.

Qeveria e Kosovës miratohet me minimumin prej 61 votave të deputetëve.

Kurse dështimi eventual që ajo të miratohet në dy mundësitë kushtetuese do ta çonte vendin në zgjedhje të shpejta brenda 40 ditësh.

Mirëpo, mbetet te Gjykata Kushtetuese që ta thotë interpretimin e saj nëse qeverinë mund ta formojë edhe një mandatar nga opozita pa partinë fituese.

Kushtetuesja, ka kumtuar se e ka marrë vendimin në lidhje me kërkesën për sqarime të parashtruar nga presidentja Atifete Jahjaga, por nuk e ka bërë publik këtë vendim.

I kandiduari për postin e kryeministrit nga blloku LDK, AAK dhe Nisma, i mbështetur në parim edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj thotë se do të ishte e drejtë që Kushtetuesja t'i njihte atij të drejtën e mandatarit, ngase përfaqëson koalicionin më të madh parlamentar.

"Mendoj se do të ishte e drejtë dhe reflektim i demokracisë që e drejta e konsultimeve të na jepej direkt neve sepse e kemi shumicën politike", ka thënë Haradinaj.

Një çështje tjetër te faza e konstituimit të institucioneve është ajo e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. PDK si fituese e zgjedhjeve pretendon se ky post i takon asaj. Kurse koalicioni LDK, AAK dhe Nisma në bazë të marrëveshjes ka kandiduar për këtë post Isa Mustafën.

Analisti Driton Selmanaj thotë se Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit parashohin që kryetarin e Kuvendit ta propozoj grupi më i madh parlamentar.

"Grupi më i madh parlamentar e propozon një kandidat për kryetar të Kuvendit. Kjo tash nuk duket shumë e qartë deh varet pas seancës konstituive të Kuvendit", ka deklaruar Selmanaj.

Pavarësisht pozicionimeve të partive politike në dy blloqe, Driton Selmanaj vlerëson se ende është herët të flitet për një krizë, përderisa nuk ka filluar faza e formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit.

Ai beson se më shumë sesa një krizë, kjo gjendje mund të duket si një test i ri për Kosovën ku do të shihet nëse spektri politik është në gjendje që ta kalojë dhe menaxhojë atë me sukses apo jo.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG