Ndërlidhjet

logo-print

Gjykata Kushtetuese publikon vendimin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar vlerësimin mbi përputhshmërinë e neneve të Kushtetutës së Kosovës që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e presidentit të Kosovës në përcaktimin e mandatarit për themelimin e qeverisë.

Në vlerësimin e publikuar të kësaj gjykate, i cili përmban 24 faqe, thuhet se “përdorimi i termave ‘parti politike ose koalicion’, kur përmenden në lidhje me nenin 84 (14) dhe me nenin 95, paragrafet 1 dhe 4, të Kushtetutës, nënkupton partinë politike ose koalicionin që është regjistruar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, merr pjesë si subjekt zgjedhor, është i perfshirë në fletëvotim të zgjedhjeve, e kalon pragun dhe, rrjedhimisht, fiton vende në Kuvend".

"Nëse kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në baze të nenit 95, paragrafi 4, te Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun";

Gjykata e ka publikuar këtë vlerësim me kërkesën e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, të bërë më 19 qershor.

E gjithë kjo çështje, u bë temë interpetimesh të ndryshme në rrafshin kushtetues, që kur blloku i partive politike në opozitë - Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën , me përkrahjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje - arriti një koalicion pas-zgjedhor.

Koalicioni ka për qëllim, siç thuhet, t’ia pamundësojë PDK-së, formimin e qeverisë. Udhëheqësit e këtyre katër subjekteve politike në opozitë, janë zotuar një ditë më parë, përmes një deklarate të përbashkët, se nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në.

Reagimi i parë ka arritur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila përmes një deklarate u ka bërë thirrje "të gjithë udhëheqësve kosovarë që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e rolit të Presidentit".

"Aftësia e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë proces e nderon zhvillimin demokratik të Kosovës", thuhet në komunikatë

Presidentja e Kosovës ndërkaq, Atifete Jahjaga, ka njoftuar gjithashtu përmes një komunikate se ka marrë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Presidentja Jahjaga do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës duke respektuar dhe zbatuar në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese", thuhet në komunikatë.

Respektojnë vendimin

Ndryshe, kryeministri në largim dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shprehur gatishmërinë e tij për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurat për formimin e qeverisë së re.

"Sapo mora Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës që e përcakton fituesin e zgjedhjeve dhe të drejtën e mandatarit për formimin e institucioneve të reja, sipas Nenit 95, paragrafi 4 të Kushtetutës si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme që përcakton qartë mënyrën dhe afatet e krijimit të koalicioneve. E respektoj këtë vendim plotësisht”, ka shkruar Thaçi.

Edhe Koalicioni LDK-AAK-NISMA ka bërë të ditur se do ta respektojë vendimin.

Përmes një komunikate, ky koalicion ka njoftuar se "pavarësisht bindjes se vetëm mandatari i shumicës parlamentare do të duhej të mandatohej", e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion i vetëm me të drejtë interpretimi të Kushtetutës.

"Koalicioni LDK-AAK-NISMA është koalicion i shumicës në parlamentin e Kosovës, andaj presim që konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky koalicion të fillojë procedurat për krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë, përmes së cilës, i bëhet thirrje, siç thuhet, "mandatarit të pakicës që me qëllim të evitimit të vakuumit institucional të kthejë menjëherë mandatin te Presidentja Jahjaga".

Pas vendimit të Kushtetueses ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas kësaj partie politike, “edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e sigurtë që nuk do të këtë Qeveri Thaçi 3”.

Këtë bindje, Vetëvendosje e shpreh duke u thirrur në pjesën e vendimit të Kushtetueses ku thuhet: “Presidentja emëron kandidatin për Kryeministër për herë të dytë nga partia apo koalicioni i cili i ka gjasat për të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë”.

“Në këtë drejtim edhe vendimi i Gjykatës Kushtetues i hap rrugë ndërtimit të institucioneve në përputhje me vullnetin e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG