Ndërlidhjet

Pasojat e zvarritjes së formimit të institucioneve


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, që nga muajin maj, shumë ligje kanë mbetur pa u miratuar.

Pavarësisht disa shqyrtimeve, që u janë bërë atyre ligjeve, ato sërish me krijimin e institucioneve të reja, do të shqyrtohen nga e para.

Ligji për zgjedhjet, ai për vërtetimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, janë vetëm disa nga ligjet, të cila kanë qenë në procedurë për t’u aprovuar.

Ish-kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo fazë e tranzicionit të pushteteve mund të shihet si fazë e ngërçit ligjvënës, por kjo sipas tij, ndodh edhe në shtetet e tjera.

Sipas tij, të gjitha ligjet, të cilat kanë qenë në proces dhe nuk kanë kaluar sipas Rregullores së Kuvendit, kthehen në pikën zero dhe konsiderohet se nuk janë proceduar nga sponsorizuesit.

Kurse, Albulena Haxhiu, ish-anëtare e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, mendon se kanë mbetur shumë ligje në rrugë për t’u miratuar.

Ajo konsideron se disa nga ligjet, të cilat kanë mbetur në proces, janë jetike për qytetarët dhe vendin.

“Kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur, që strategjia legjislative ashtu siç e quajmë ne, nuk është përgatitur ashtu siç është paraparë nga qeveria. Nëse ka përfunduar viti, mbi 40 për qind e projektligjeve, të cilat është dashur të kryhen po atë vit nuk janë miratuar në Kuvend për shkak të mosvullnetit politik”, thotë Haxhiu.

Ndryshe, analisti politik, Imer Mushkolaj, mendon se pavarësisht vonesës së krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, institucionet ekzistuese do të duhej të funksionon normalisht. Sipas tij, ato tash nuk janë duke i kryer siç duhet obligimet që kanë.

“Ne po e shohim se këto institucione nuk po e kryejnë punën si duhet ose nuk po e kryejnë punën absolutisht me kapacitetin që u takon, mu për shkak të vonesave të shumta në procesin zgjedhor. Tash po përcillen fatkeqësisht me vonesa të tjera, duke filluar që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe tash edhe fillimi i konstituimit të Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe i qeverisë”, vlerëson Mushkolaj.

Ai konsideron se humbësi më i madhe nga vonesa e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës është qytetari, pasi që, sipas Mushkolajt, nga shumë institucione varet edhe jeta e qytetarëve të vendit.

“Këto institucione të krijohen sa më shpejt në mënyrë që disa procese shumë të rëndësishme të fillojnë apo të vazhdojnë punën dhe thjesht qytetarët të mos mbeten peng i vendimeve - qofshin ato të KQZ-së, të Gjykatës Kushtetuese apo edhe të subjekteve të ndryshme”, thekson Mushkolaj.

Krahas shumë çështjeve, të cilat kanë ngecur si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve, Mushkolaj përmend edhe çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ka mbetur pezull.

Mushkolaj, veç tjerash thotë se në mënyrë që bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të nisin sa më parë edhe BE-ja është e interesuar që të shohë sa më shpejt institucionet e reja në Kosovë.

“Dialogu ka mbetur pezull edhe nga qeveria në largim dhe duket se do të mbetet ende, pavarësisht se do të krijohen institucione e reja që po shpresojmë se do të krijohen, dhe nuk do të kemi edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme”, përfundon Mushkolaj.

XS
SM
MD
LG