Ndërlidhjet

Vakum ligjor për ata që përfshihen në konflikte jashtë vendit


Ilustrim

Ilustrim

Ndonëse Kosova ka mekanizma të sigurisë, të cilët vrojtojnë personat që implikohen ose kanë tendencë të implikohen në konfliktet jashtë territorit të vendit, megjithatë ekziston vakum ligjor për sanksionimin personave të tillë, vlerësojnë ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të rrethanave të sigurisë në vend.

Ministria e Punëve të Brendshme pati sponsoruar Ligjin që ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit, i cili në formë të projektligjit ishte dërguar në Kuvendin e Kosovës kah mesi i muajit mars të këtij viti dhe ishte miratuar në parim, me shumë vërejtje.

Kjo edhe ishte arsyeja pse projektligji është dërguar në rishikim nëpër Komisionet Parlamentare, në mënyrë që më pas, me propozimet për plotësime t’i kthehet Kuvendit për miratimin final. Por, kjo nuk ndodhi për shkak se në fillim të muajit maj Kuvendi i Kosovës është shpërndarë.

Ahmet Isufi, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se projektligji ka qenë krejtësisht i gatshëm që të ridërgohet për miratim në Kuvend.

“Është një projektligj, i cili ka kaluar në leximin e parë, por nuk ka arritur që të kalojë në leximin e dytë, për arsye se Kuvendi i Kosovës është shpërbërë".

"Konsideroj se projektligji është i gatshëm, është i amandamentuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kështu që do të duhej vetëm të vazhdohej në procedurë të rregullt, në mënyrë që sa më shpejt të aprovohej në Kuvendin e Kosovës. Do të thotë, ligjet të cilat janë në leximin e dytë dhe që nuk janë aprovuar në Kuvend, munden me një vendim të Kryesisë së ardhshme të Kuvendit, të procedohen më tutje”, thotë Isufi.

Naim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e Ligjit aktualisht e lë Kosovën në vakum ligjor lidhur me këtë çështje, por, megjithatë, sipas tij, ekzistojnë disa mekanizma për vrojtimin e gjendjes së sigurisë, përfshirë këtu edhe personat që mund të jenë të përfshirë në aktivitete që bien në domenin e terrorizmit ose të ndërlidhura me konfliktin në Siri.

“Kosova për momentin nuk ka mekanizma juridikë dhe praktikisht mungesa e atij ligji Kosovën e lë shumë të mangët në atë aspekt. Mendoj se AKI-ja e ka të formuar mirë Departamentin kundër terrorizmit dhe besoj që ajo do ta kryejë punën e vet në përcjelljen e dukurive ose personave që kanë tendencë të implikohen atje ose janë të implikuar dhe po kryejnë çfarëdo aktiviteti në dobi të cilësdo palë në atë konflikt atje”, thekson Maloku.

Edhe Isufi vlerëson se ekziston vakuumi ligjor, por ka mekanizma tjerë ligjorë që adresojnë çështjet, të cilat janë të ndërlidhura me sigurinë në vend, përfshirë edhe implikimin ose tendencat e implikimit të qytetarëve në konflikte jashtë vendit.

“Tash për tash ekziston një vakum ligjor. Megjithatë, sa i përket çështjes së sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, janë gjëra të cilat mund të adresohen në gjykata dhe çështjet e tilla mund të konsiderohen si të zgjidhshme. Megjithatë, adekuat është vetëm ligji për ndalimin e shkuarjes në konflikte jashtë vendit”, vlerëson Isufi.

Ndryshe, Maloku thekson se për momentin, organet e drejtësisë tashmë kanë ndërmarrë hapa të caktuar, siç ishin bastisjet dhe arrestimi i disa personave në Kaçanik, për të cilët dyshohet se kanë pasur rol të rekrutimit të pjesëtarëve ose kanë kryer aktivitete që shkojnë në dobi të cilësdo palë në konfliktin e Sirisë.

Por, sipas tij, aspekti i mundësisë së sanksionimi të personave të tillë me ligj, mbetet i brishtë në mungesë të ligjit adekuat.

“Mungesa e atij ligji, praktikisht, ata persona i bën më pak të lëndueshëm dhe përgjegjës para organeve të drejtësisë. Ata munden shumë lehtë t’i refuzojnë ose t’iu kundërvihen atyre masave për shkak se Kosova nuk e ka ligjin. Me një avokat të mirë ata mund të mbrohen dhe mos të kenë juridikisht të drejtë organet e drejtësisë dhe rendit që të ndërmarrin masa juridike ndaj tyre”, shpjegon Maloku.

Ai kritikon përbërjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës që, siç thekson ai, nuk ka qenë mjaft e shkathtë në drejtim të përshpejtimit të miratimit të Ligjit që ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG