Ndërlidhjet

Maqedoni: Valë e re e rritjes së çmimit të rrymës dhe bukës


Ilustrim
Ilustrim

Qytetarët Maqedonisë nga kjo javë do t`i kenë më të larta faturat për energjinë elektrike për 3.5 për qind, ndërkohë që edhe çmimi i bukës është rritur për 5 denarë.

Shtrenjtim krahas disa prodhimeve ushqimore në tregun e gjelbër kanë pësuar dhe derivatet e naftës dhe cigaret.

Ekspertët e ekonomisë, duke komentuar rritjen e çmimeve, thonë se valën e shtrenjtimeve më shumë e ndiejnë të varfrit dhe punëtorët me të ardhura minimale.

“Kuptohet se jam duke e ndier edhe atë shumë në buxhetin e familjes, meqë kemi vetëm rrogën e bashkëshortit, rreth 350 euro, s`kemi çfarë të bëjmë, pos që të shkurtojmë pjesën më të madhe të kërkesave. Fokusohem vetëm në gjërat elementare që kanë dy fëmijët e mi, të dy studentë”, thotë Nina Nikollovsa, e cila na rrëfen që tashmë dhjetë vjet është e larguar nga puna si tepricë teknologjike.

Edhe Faik Iseni, pensionist, thotë se është bërë i papërballueshëm planifikimi i harxhimeve për familjen e tij 7-anëtarëshe me 150 euro pension, si të ardhurat e vetme që hyjnë në familjen e tij.

“Po është bërë shumë e shtrenjtë rryma. Në njërën anë të them ashtu na rriten për pesë denarë pensionet dhe menjëherë të nesërmen na merren 100 denarë të tjera. Patjetër e kam t`i paguaj faturat, sepse do të m’i ndalin nga llogaria”, tregon Iseni, duke shtuar se tryeza e bukës gjithnjë e më shumë është e zbrazët.

Nga ana tjetër, Aleksandar Goçev, nga iniciativa qytetare “AMAN” vlerëson se shtrenjtimi i rrymës do të paraqesë goditje të rëndë për më së paku 150 mijë familje.

"Qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më pak janë në gjendje që të shlyejnë borxhet nga faturat, si pasojë e një varfërie të thellë që ka kapluar vendin. Shtrenjtimi prej 0.5 për qind rëndon buxhetin e familjes, e jo më 3.5 për qind", vlerëson Goçev.

Kjo iniciativë qytetare vitin e kaluar ka deponuar nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët në Parlamentin e Maqedonisë, për t`u iniciuar ndryshime në Ligjin për energjetikë me atë që të kthehet tarifa e lirë e rrymës gjatë disa orëve brenda ditës.

Por, sociologët në Maqedoni theksojnë se edhe kundrejt valës më të re të shtrenjtimeve, shoqëria në Maqedoni me vite është impotente sa i përket shprehjes së pakënaqësive përmes iniciativave qytetare.

Në Maqedoni tashmë gjithçka është e politizuar, gjegjësisht e partizuar, gjithçka që ndodh, është e inskenuar nga partitë në pushtet ose ato në opozitë dhe pothuajse fare s`ka hapësirë për iniciativa qytetare”, thekson sociologu Ilia Acevski.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë, të mërkurën ka prezantuar një projekt, që ka të bëjë me harmonizimin e jurisprudencës dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, mbështetur nga fondet evropiane IPA.

“Me qëllim të mbrojtjes më efikase të konsumatorëve, njëherësh vendosjen e mekanizmave funksionalë për bashkëpunim me organizatat joqeveritare si dhe për krijimin e kornizës juridike për mbrojtjen e konsumatorëve, fillojmë me projektin në vlerë mbi një milion e 300 mijë euro- mjete këto të siguruara nga fondet IPA, në bashkëfinancim me buxhetin e Republikës së Maqedonisë me 10 për qind”, ka sqaruar ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Bekim Neziri.

Ndryshe, edhe kundrejt valës së shtrenjtimeve të prodhimeve nga drithërat, energjisë elektrike, njëherësh shtrenjtimin e cigareve dhe naftës, Banka Popullore e Maqedonisë ka kumtuar se inflacioni këtë vit nuk do të jetë më shumë se një për qind.

XS
SM
MD
LG