Ndërlidhjet

SHBA duhet të ndihmojë në uljen e tensioneve izraelito-palestineze


Izraeli dhe territoret palestineze kanë qenë një oazë e pazakontë e qetësisë në Lindjen e Mesme, të shkatërruar nga lufta dhe revolucioni, shkruan gazeta Washington Post. Megjithatë, qytetarët e tyre janë dëshmitarë se sa shpejt mund të vijë deri te dhuna.

Pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve izraelitë nga militantët, që besohet se kanë lidhje me lëvizjen e Hamasit, një i ri palestinez është rrëmbyer dhe vrarë. Qytetarët e zemëruar nga të dyja palët janë rebeluar, Hamasi ka hedhur raketa nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit dhe Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore.

Deri më tash, udhëheqësit politikë – kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas – janë përgjigjur me maturi relative, duke dënuar vrasjet dhe duke hedhur poshtë përgjigjet më ekstremiste, të propozuara nga ndjekësit e tyre. Por, atyre iu duhet të bëjnë më shumë nëse nuk duan gjakderdhje të tjera, shkruan Washington Post.

Sipas gazetës, deri në një masë, problemi i ka rrënjët në kolapsin e negociatave të paqes, që sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka bëtë përpjekje t’i ndërmjetësojë. Me mbarimin e tyre në muajin prill, Netanyahu ka ndaluar lirimin e planifikuar të të burgosurve palestinezë, ndërsa Abbas është kthyer te Hamasi, duke arritur marrëveshje për qeveri të unitetit dhe zgjedhje.

Izraeli ka dënuar këtë marrëveshje dhe Hamasi, nga ana e tij, ka rritur ndjeshëm sulmet me raketa dhe mortaja nga Gaza. Më pastaj, ka ndodhur rrëmbimi i tre adoleshentëve izraelitë në Bregun Perëndimor. Autorët e krimit, sipas Izraelit, kanë qenë dy anëtarë të njohur të Hamasit. Ata mund të kenë kërkuar pengje që do të mund të shkëmbeheshin me të burgosurit palestinezë. Por, adoleshentët janë vrarë shumë shpejt pasi janë kapur, ndoshta sepse njëri ka thirrur policinë.

Në 18 ditët midis zhdukjes së të rinjve dhe zbulimit të trupave të tyre të hënën, Netanyahu ka nisur ofensivë kundër Hamasit në Bregun Perëndimor, duke arrestuar dhjetëra anëtarë të tij.

Të martën, ai është zotuar se do të vazhdojë operacionin dhe do të kërkojë vrasësit. Ai po ashtu mund të miratojë ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, shkruan gazeta. Po sipas saj, kjo çon përpara qëllimin e tij të madh për të dobësuar qeverinë palestineze. Megjithatë, lideri izraelit ka lënë mënjanë propozimet për pushtimin e Gazës dhe ka dënuar ashpër vrasjen e të riut palestinez, vrasësit e të cilit janë të panjohur.

Abbas po ashtu ka dënuar rrëmbimin e izraelitëve dhe forcat palestineze të sigurisë kanë bashkëpunuar në heshtje në kërkimin e tyre. Por, presidenti palestinez nuk është zmbrapsur nga aleanca me Hamasin dhe ai ka lënë të kuptohet se përgjigjja e tij ndaj dhunës do të jetë fillimi i fushatës palestineze për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare – një strategji aq kundërproduktive sa edhe vendbanimet e reja izraelite.

Pas përpjekjeve të dështuara për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare të paqes, administrata Obama është tërhequr nga rajoni. I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit ka dhënë dorëheqje javën e kaluar.

Por, ndikimi i Shteteve të Bashkuara tani është i nevojshëm për të mbajtur nën kontroll liderët izraelitë dhe palestinezë dhe për të ulur tensionet mes palëve. Gjëja e fundit për të cilën SHBA-ja ose Lindja e Mesme ka nevojë, është shpërthimi i një lufte tjetër, shkruan Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG