Ndërlidhjet

Korrupsioni në fushën e energjisë në vendet e Evropës Juglindore ka bërë që investitorët të largohen dhe të mos ketë zhvillim të qëndrueshëm të energjisë, thuhet në një studim të bërë nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim në Kosovë.

Sipas këtij raporti, niveli i lartë i korrupsionit mbetet pengesë serioze drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Studimi i ATRC-së, i titulluar “Fituesit dhe humbësit: Kush përfiton nga korrupsioni i nivelit të lartë në sektorin e energjisë në Evropën Juglindore”, përmban analizë të fenomenit të korrupsionit në sektorin e energjisë, efektet dhe pengesat që korrupsioni u ka sjell atyre vendeve në proceset integruese evropiane, si dhe detyrat dhe obligimet që shtetet kanë me BE-në, për luftimin e kësaj dukurie.

Ky hulumtim tregon se natyra sistematike e korrupsionit në Ballkan e bën atë qëndrueshëm, për të ndryshuar me anë të ndjekjes penale.

Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, thekson se ndërtimi i infrastrukturës moderne të energjisë mund të bëhet vetëm duke luftuar korrupsionin, duke i zbatuar ligjet dhe duke pasur transparencë dhe konkurrencë të lirë në treg.

“Përvoja ka treguar se lufta kundër korrupsionit është e vështirë dhe sfiduese dhe në të njëjtën kohë bart rreziqe dhe tendenca për të shuar dhe vënë nën kontroll zërat kritikë të organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve, ekspertëve në lidhje me rastet e supozuara apo të dyshuara të korrupsionit nga organet shtetërore në vendet e Evropës juglindore në përgjithësi, pra nuk është një fenomen vetëm në Kosovë”, thotë Kaloshi.

Ai thekson se fatkeqësisht, institucionet e drejtësisë penale në Kosovë janë të dobëta dhe të politizuara. Sundimi i ligjit, shton Kaloshi, është shumë i rëndësishëm ekonomikisht sa i përket sigurisë ligjore dhe besimit të investitorëve, sidomos në sektorin e energjisë.

“Sundimi i ligjit mbetet në zemër të pranimit në Bashkimin Evropian, kjo nënkupton jo vetëm reformat në sistemin politik dhe gjyqësor, por edhe në sigurimin e kushteve operuese investitorëve në sektorin e energjisë. Dhe, mund të bëjmë një pyetje ku jemi ne si Kosovë në këtë kriter të parë, sa u kemi ofruar kushte të favorshme investitorëve të huaj në sektorin e energjisë dhe a kemi krijuar kushte favorizuese për investitorët e jashtëm që të investojnë në sektorin e energjisë”, vlerëson Kaloshi.

Në anën tjetër, Driton Tafallari, inxhinier i ndërtimtarisë, thotë se korrupsioni në Kosovë ka përfshirë jo vetëm sektorin e energjisë, por gati të gjithë sektorët, e në veçanti atë të ndërtimit.

“Mënyra më e mirë për ta luftuar korrupsionin është transparenca - është thënë dhe po thuhet edhe ajo në të cilën edhe ne si shoqëri civile të insistojmë që ta luftojmë këtë dukuri”, shprehet Tafallari.

Ndryshe, Kosova ka hyrë në krizë energjetike si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur muajin e kaluar në Repartin e Elektrolizës në Termocentralin “Kosova A”, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme, çka ka pamundësuar operimin e saj dhe si pasojë janë shfaqur probleme të mëdha gjatë furnizimit me energji elektrike.

Termocentrali “Kosova A” mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG