Ndërlidhjet

Kosovë: Ulje e infeksioneve sezonale


Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në Qendrën Klinike Universitare për shkak të viruseve sezonale qe përcillen me infeksione të ndryshme, nuk është shumë i madh.

Kjo, sipas profesionistëve shëndetësorë, vjen si rezultat i ngritjes së standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës.

Në emergjencën pediatrike dhe klinikën pediatrike, ndihmë mjekësore gjatë sezonës së verës kërkojnë kryesisht fëmijët me të vjella dhe diarre.

Ramush Beiqi, pediatër, thotë se edhe numri i fëmijëve me viruse sezonale është në rënie.

"Vitet e fundit janë dy elemente pozitive që kanë bërë që të bie numri i pacientëve. Një se ka ngritje të standardit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, duke u nisur nga qasja në ujë të pijshëm me kualitet të lartë dhe eliminimin e ujërave të zeza, si dhe në rritjen e nivelit shëndetësor .Numri i fëmijëve me infeksione virale është në rënie dhe jemi shumë të lumtur. Barkqitjet, vjelljet, janë kryesisht ato që bëjnë probleme dhe ballafaqohemi me këtë", thotë Beiqi.

Doktor Beiqi thotë numri i fëmijëve është variabël por nuk është i madh, krahasuar me pesë vitet e kaluara kur ka qenë i pa përballueshëm.

Derisa në klinikën infektive, në Qendrën Klinike Universitare, trajtohet patologjia që është e rëndomtë për sezonin e verës.

Shemsedin Dreshaj, infektolog, jep hollësi të tjera.

"Aktualisht në klinikën infektive trajtohet patologjia që është e rëndomtë për këtë kohë. Nuk evidentohet ndonjë rritje krahasuar me sezonin e njëjtë të vitit të kaluar. Patologjia që trajtojmë është konform trendeve të regjistruara deri tash në Kosovë".

Zoti Dreshaj shpjegon patologjitë që trajtohen në klinikën infektove, kryesisht gjatë sezonit të verës.

"Është normale që gjatë sezonit të verës të kemi më tepër patologji e cila prek rrugët respirator të sipërme dhe traktin digjistiv, por brenda trendit që regjistrohet në Kosovë", bën të ditur Dreshaj.

Ndërkaq, furnizimi me barna dhe material shpenzues sipas zyrtarëve të këtij institucioni është i qëndrueshëm, me mungesa eventuale të kohëpaskohshme.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në QKUK, thotë për Radion Evropa e Lirë se furnizimi me barna mbulohet me rreth 60 për qind.

"Marrë në përgjithësi, QKUK është mirë e furnizuar, por ende ka mungesë në disa shërbime dhe reparte për shkak të buxhetit të limituar. Një sasi tjetër e barnave dhe materialit shpenzues është në furnizim e sipër sipas kontratave që ka MSH, e që janë proceduar kërkesat nga QKUK. Marrë në përgjithësi, furnizimi është diku rreth 60 për qind", thotë Fazliu.

XS
SM
MD
LG