Ndërlidhjet

logo-print

Serbia ndërpret gërmimet në Rashkë, kërkon donacione


Rudnicë, prill 2014

Rudnicë, prill 2014

Gërmimet në Rudnicë të Rashkës ku po hulumtohet varreza masive, janë ndërprerë për shkak se pala serbe e angazhuar në këtë proces, arsyetohet se u mungojnë fondet, kanë theksuar të premten zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, në lokacionin e dyshuar si varrezë masive në Rudnicë kishin filluar gërmimet dhe më 13 dhjetor ishin hasur në mbetjet e para mortore.

Më 10 prill të këtij viti, ishte rrënuar objekti i një kompanie shërbyese për mirëmbajtjen e rrugëve, nën të cilin dyshohej se ndodhej varreza masive. Më 23 prill patën filluar gërmimet vlerësuese që kanë vazhduar deri më 14 qershor.

Gërmimet në lokacionin e dytë kanë nisur më 30 qershor dhe kanë përfunduar pa gjetje. Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thotë se pala serbe ka ndërprerë punimet në prag të fillimit të gërmimeve në lokacionin e tretë, me arsyetimin se mungojnë fondet.

“Është befasi shumë e madhe dhe me keqardhje e kemi pritur këtë lajm, ne nga ana jonë, si ekspertët, si ne që i koordinojmë aktivitetet, e në veçanti familjarët, sepse këta të fundit me padurim i presin informacionet për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre. Tani pala serbe, në mënyrë të njëanshme i ndërpret punimet dhe them se po vazhdon të bëjë një krim, për të përfituar donacione ose për të shfrytëzuar mundësinë e përfitimeve në këtë fatkeqësi”, thotë Gjetaj.

Gjetaj shton se e kanë shprehur pakënaqësinë te pala serbe lidhur me ndërprerjen e gërmimeve dhe kanë kërkuar takim urgjent të Grupit punues, i cili përbëhet nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, për të vlerësuar hapat e mëtutjeshëm për vazhdimin e punimeve.

“Në takimin e Grupit punues - që me siguri, kërkesë e jona është që të mbahet menjëherë javën e ardhshme – do të kërkojmë që të mos ndërpritet kjo vazhdimësi (e punës) dhe që në të vërtetë të mos kushtëzohet me donacione ose me mjete financiare, sepse Serbia apo cilido shtet, për të vlerësuar një lokacion ku duhet të angazhohet ndonjë makineri ose ekskavator, sigurisht se nuk është e arsyeshme të ndërpriten punimet”, thekson Gjetaj.

Ndryshe, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Drejtorisë për mjekësi ligjore, i cili i ka prirë ekspertëve të palës së Kosovës në gërmimet në Rudnicë, ka shpjeguar ecurinë e deritashme të punës dhe gjetjet që kanë rezultuar nga gërmimet.

“Lokacioni është duke u kontrolluar bazuar në lëvizjet e dheut, prej hartave satelitore. Lokacioni i parë, Rudnica 1, është kontrolluar deri në kufirin e lëvizjes së dheut dhe ka rezultuar me gjetjen 45 trupave, relativisht të mbledhura mirë dhe 87 mbetje mortore, prej të cilave, në përgjithësi, prej këtyre dy grupacioneve, 156 mostra të ADN-së janë marrë dhe janë dërguar në ISMP për analiza të ADN-së. Nga momenti i arritjes, 4 deri në 6 javë, së paku, kërkojnë kohë për të na arritur analizat (rezultatet)”, shpjegon Gërxhaliu.

Gërmimet në Rashkë kishin nisur mbi dyshimet që kishin lindur pas krahasimit të pamjeve satelitore para dhe pas disa punimeve që ishin zhvilluar në lokacionin ku janë zhvilluar së fundmi gërmimet dhe janë gjetur mbetje mortore.

Në muajin prill, kryetari i Komisionit qeveritar dhe kryetari i delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën lidhur me çështjen e të pagjeturve, Veljko Odaloviq, pati deklaruar se në varrezën masive në Rudnicë dyshohet të jenë mbetjet mortore të rreth 300 shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG