Ndërlidhjet

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 8 qershorit

  • RFE /RL

Kuti votimi...

Kuti votimi...

Komisioni Qendror Zgjedhor gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e së premtes ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 qershorit, rezultat ky i cili, pasi janë trajtuar të gjitha ankesat e subjekteve politike, nuk dallon nga ai shpallur më 26 qershor.

Në këtë mbledhje, KQZ njëzëri (me 11 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim) – certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 8 qershor 2014”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.

Menjëherë pas kësaj mbledhje të KQZ-së, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga iu ka dërguar mediave një deklaratë në të cilin e konfirmon se e ka pranuar certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend.

“Me certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve është hapur rruga për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe presidentja Jahjaga, duke respektuar afatet ligjore dhe bazuar në kushtetutën e vendit në ditët në vijim do të marrë vendimin për caktimin e një date për mbajtjen e mbledhjes konstitutive të Kuvendit të ri të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Më tej kjo deklaratë thotë se “Presidentja Jahjaga thekson domosdoshmërinë e përmbylljes me sukses të procesit të rëndësishëm për Kosovën dhe vazhdimin e përmbushjes së aspiratës së popullit të Kosovës në ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e gjithëpërfshirës që do të hap rrugën e integrimeve evropiane”.

Rezultati i certifikuar thotë se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës ka fituar 37 mandate në Kuvendin e ri, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 30 mandate.

Subjekti i tretë është Lëvizja Vetëvendosje me 16 ulëse në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 11 deputetë.

Lista Serbe do të ketë 9 deputetë, ndërsa Nisma për Kosovën do të ketë 6 deputetë.

Në zgjedhjet e 8 qershorit zyrtarisht thuhet se kanë marrë pjesë 42.63 për qind e kosovarëve me të drejtë vote.

Gjatë mbledhjes së mbajtur të premten nga Komisioni Qendror Zgjedhor u tha se dy deputetë tashmë e kanë dorëzuar mandatin e fituar më 8 qershor, më saktë, Vlora Çitaku nga koalicioni i PDK-së dhe Liburn Aliu nga Vetëvendosje.

Pas certifikimit të këtyre rezultateve, sfida më e madhe duket të jetë krijimi i institucioneve të reja, më saktë formimi i Qeverisë së re të Kosovës.

Partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK, po has në një bllokadë të fuqishme të spektrit tjetër politik për të krijuar qeverinë e re.

Zyrtarët e PDK-së që janë kontaktuar gjatë ditës nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ata do t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për negociata politike me partitë e tjera pas certifikimit të rezultatit.

Por, kjo duket të jetë vështirë e realizueshme kur kihet parasysh mos gatishmëria e subjekteve të tjera parlamentare që të negociojnë me PDK-në.

PDK-ja insiston, megjithatë, se si fituese e zgjedhjeve do të synojë të marrë në drejtim postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për të formuar qeverinë.

Më herët PDK kishte thënë se qeveria e re duhet patjetër të formohet me këtë subjekt ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Insistimi i PDK-së për mandatim të dyfishtë sipas bllokut opozitar, LDK – AAK – Nisma, të formuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është jo vetëm i pasaktë dhe i pandershëm, por edhe presion ndaj presidentes dhe diskrecionit të saj që i është caktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kuhstetuesja ditë më parë ia ka sqaruar Presidencës së Kosovës dy nene të Kushtetutës, për atë se kush duhet të mandatohet në raste çfarë ekziston tani pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Sipas vlerësimeve të partive politike dhe ekspertëve, dokumenti i Gjykatës Kushtetuese thotë se në rast se PDK-ja dështon herën e parë të formojë qeverinë, atëherë mandatari mund të caktohet edhe prej ndonjë subjekti tjetër që nuk është fitues i zgjedhjeve.

Mirëpo, blloku opozitar ka 47 deputetë në Kuvendin e ri, dhe derisa minoritetet ende nuk janë treguar të gatshme t’i bashkohen, koalicionit LDK-AAK- Nisma i duhen edhe 16 votat e Vetëvendosjes për të formuar qeverinë.

Për ta fituar këtë mbështetje, VV-ja ka caktuar disa kushte që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë dhe privatizimin. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG