Ndërlidhjet

NATO dhe Rusia nisin ushtrime të ndara në Detin e Zi


Anije e NATO-s në Detin e Zi
Anije e NATO-s në Detin e Zi

NATO-ja dhe Rusia, ndaras i kanë filluar të enjten ushtrimet ushtarake në Detin e Zi, në periudhën e tensioneve ndërmjet Moskës dhe perëndimit lidhur me krizën në Ukrainë.

Në ushtrimet e NATO-s, në pjesën perëndimore të Detit të Zi, janë përfshirë luftanijet nga Shtetet e Bashkuara, Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Turqia. Këto ushtrime do të vazhdojnë deri më 13 korrik.

Duke u shprehur për këto ushtrime, admirali amerikan, Robert J. Kamensky, tha:

“Këshilli Veri-atlantik e ka bërë një deklaratë të fuqishme para disa muajsh, në përgjigje të asaj që po ndodhë me Ukrainën dhe Rusinë. Ajo ishte se ne jemi unikë në qëllimin dhe çështjen tonë”.

Më tutje ai theksoi:

“Duke e treguar këtë prani, ne e paraqesim solidaritetin tonë, ne e trgojmë unitetin tonë të përpjekjeve. Ne jemi këtu në Burgas të Bullgarisë, për ta demonstruar këtë përkushtim si një aleancë”.

Nga ana tjetër, Flota e Detit të Zi e Rusisë i ka vendosur afro 20 luftanije dhe më tepër se 20 aeroplanë luftarakë për manovrat e veta, në të cilat do të praktikohet lansimi i raketave në caqe të caktuara.

Këto ushtrime po mbahen në kohën kur Ukraina po e vazhdon ofensivën e saj kundër kryengritësve pro-rusë në pjesën lindore të këtij vendi.

Zyrtari i lartë ukrainas për siguri, Andriy Parubiy, e ka akuzuar Rusinë për mbledhjen e trupave afër kufirit të Ukrainës dhe për lejimin ne kryengritësve që t’i sulmojnë pikat kufitare ukrainase nga ana e Rusisë.

Paribiy tha se forcat qeveritare po i sulmonin pozicionet e kryengritësve në pjesën lindore të Ukrainës me artileri dhe aeroplanë dhe se tashmë 17 fshatra janë rimarrë, prej se ka përfunduar armëpushimi i njëanshëm më 30 qershor.

Por, Andrei Purgin, nga e ashtuquajtura Republikë Popullore e Donjeckut, i ka hedhur poshtë të dhënat e qeverisë.

Shefi i Shërbimit të sigurisë së Ukrainës, Valentyn Nalyvaushenko, tha se gjatë katër ditëve, 20 tanke ose makina të blinduara ruse, e kanë kaluar kufirin për të marrë pjesë në kryengritje.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se qeveria është e gatshme për një rund të ri të bisedimeve paqësore por nuk ka specifikuar më tepër.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e ka akuzuar qeverinë e Poroshenkos se po e zvarritë mbajtjen e një rundi tjetër të negociatave për vazhdimin e armëpushimit dhe e ka kritikuar Kievin se po përdorë municion të palejueshëm kundër civilëve.

Në Gjenevë, komisionarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, i ka bërë thirrje qeverisë dhe separatistëve që t’i kursejnë civilët në pjesën lindore të Ukrainës.

Sipas OKB-së, afro 400 njerëz janë vrarë në lindje të Ukrainës, prej se ka filluar kryengritja në mes të muajit prill.

Zonja Pillay, po ashtu, ka thënë se ajo ishte veçanërisht e shqetësuar me deklaratën e një lideri separatist në Donjeck se gratë dhe fëmijët janë caqe të rregullta.

“Një nxitje e tillë për dhunë është krejtësisht për kritikë dhe shkelje e qartë e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare”, tha Pillay. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG