Ndërlidhjet

Të papërgatitur për t’u bërë studentë


Ilustrim
Ilustrim

Shumë nxënës në Kosovë, të cilët përfundojnë shkollimin e mesëm, vlerësohet të jenë të papërgatitur për të vazhduar studimet, pasi që siç thuhet, ata nuk kanë arritur të përvetësojnë mjaftueshëm mësimet që i dedikohen shkollimit të ulët.

Niveli i arsimit të tyre gjatë shkollimit fillor dhe atij të mesëm, nga ekspertë të çështjeve të arsimit, konsiderohet të jetë i mangët për të vazhduar studimet, apo për ta studiuar një materie.

Dukagjin Popovci, ekspert i çështjeve të arsimit në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan mjaft shqetësuese mospërgatitjen e duhur të nxënësve në arsimin e ulët.

“Universitetet ankohen shumë se maturantët nuk janë të përgatitur sa duhet për studime, nuk kanë shkathtësi të duhura të studimit, respektivisht mësimit dhe kjo iu shkakton vështirësi në rastin e përvetësimit të materies që zhvillohet në arsimin e lartë”, thotë Popovci

Kosova edhe në raporte të shumta vendore dhe ndërkombëtare ishte kritikuar për cilësi të ulët të arsimit si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare. Cilësia e dobët në arsim ishte theksuar se po rrezikon të ardhmen e vendit.
Megjithatë, Popovci thekson se institucionet e arsimit të lartë janë ato që për këtë situatë ta pranojnë përgjegjësinë, sepse, sipas tij, kuadrot që dalin nga institucionet e arsimit të lartë, janë ato që merren me shkollimin e këtyre fëmijëve.

“Prandaj, unë mendoj se ndryshimet për të arritur që të kemi maturantë të kualifikuar mirë për studime dhe të diplomuar nga universitetet e kualifikuara mirë për tregun e punës, ndryshimet duhet të bëhen nga të gjitha nivelet, nuk mjafton vetëm të akuzohet shkolla e mesme se nuk po prodhon çfarë duhet, sepse nëse shkolla e mesme nuk prodhon cilësi të duhur, atëherë faji është tek universitet që nuk po prodhojnë cilësi të duhur”, vlerëson Popovci.

Në anën tjetër, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë thonë se rezultatet e testit të maturës që pritet të publikohen së shpejti do të jetë dëshmia më e mirë se sa të përgatitura janë këta nxënës.

Nehat Mustafa nga Ministria e Arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë nuk dyshon në aftësinë e maturantëve. Ai thotë se do të dëshmojnë suksese.

“Kemi besim që ata që do ta kalojnë testin e maturës do të dëshmojnë se janë të aftë për t’i plotësuar kriteret që të jenë studentë të ardhshëm. Natyrisht nga suksesi që tregojnë, do të zgjedhin edhe drejtimin, sepse ne e dimë janë disa drejtime siç janë mjekësia, arkitektura që është zakonisht preferencë e maturantëve më të mirë. Ka edhe drejtime të tjera si ekonomik dhe juridiku ku ka interes edhe nga maturantë të mirë, por shumë herë aty drejtohen maturantët që kanë treguar sukses mestar gjatë shkollimit”, shton Mustafa.

Numri i madh i të rinjve të papunë i evidentuar, thuhet të jetë edhe si pasojë e mosaftësimit të tyre profesional. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15- 24 vjeç.

Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

XS
SM
MD
LG