Ndërlidhjet

Nuk mund të ketë pezullim të dialogut


Ilustrim
Ilustrim

Analistët politikë konsiderojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.

Ata vlerësojnë se në këtë proces është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Analisti Halil Matoshi konsideron se dialogu do të vazhdojë sipas agjendës së Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Dialogu do të vazhdojë, pa marrë parasysh konstilacionin e forcave brenda Kosovës, do të thotë se kush do ta ndërtojë qeverinë e re. Madje, liderët e koalicionit opozitar janë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun. Mirëpo, në këtë situatë ndërhyrja e Vetëvendosjes e ka ashpërsuar në një masë retorikën politike”, thotë Matoshi.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga partitë politike opozitare (në rast të formimit të qeverisë nga ana e tyre), që riformatizojnë dialogut, që siç kanë thënë ata, në radhe të parë të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe që ky dialog të mos zgjasë në pafundësi.

Matoshi konsideron se janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çështja e dialogut të kuptohet si çështje e pezulluar.

“Në këtë çështje, kanë ndikuar sikur serbët e veriut të Kosovës, po ashtu edhe partitë politike kosovare, posaçërisht Vetëvendosje. Ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve, po ashtu edhe konstituimi i komunave të reja në veriun e Kosovës, por edhe kjo performancë cinike mbi urën e lumit Ibër ka bërë që dialogu i mëtutjeshëm të shihet me dyshim”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Halil Matoshi.

Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, mendon se vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beogradi është i domosdoshëm. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pas formimit të institucioneve të reja, qeveria e ardhshme duhet të shkojë tutje me dialogun politik, jo vetën në kuptimin formal, por duhet të arrihen qëllimet e dialogut.

Dialogu duhet të vazhdojë, sepse e dimë që ky dialog ka qenë një atu e fortë e Brukselit. Të gjitha këto vite e muaj Brukseli nuk do të lejojë që një gjë e tillë të dështojë. Por, prapë po them se varet shumë nga institucione e reja, varet shumë nga koha kur këto institucione do të formohen që të vazhdohet dialogu, respektivisht të shihen mbase modalitetet e reja se si ky dialog të vazhdohet. Para se të vazhdohet, normalisht, i rëndësishëm është zbatimi i të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur më herët”, vlerëson Mushkolaj.

Ndryshe, në këtë javë që po e lëmë pas, zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka pasur takime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Siç është bërë e ditur nga kabineti i zonjës Tahiri në agjendën e këtyre takimeve ka qenë analizimi i zbatimin të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në takimin që ka pasur me drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, Fernando Gentilini, në mënyrë të veçantë thuhet se ka ngritur çështjen e barrikadave të reja në urën e lumit Ibër dhe ka kërkuar angazhime të shtuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e tyre dhe mundësimin e lëvizjes së lirë sa më shpejtë, ashtu siç është premtuar.

XS
SM
MD
LG