Ndërlidhjet

Poroshenko: Fitorja në Sllovjansk - pikë kthese


Sllovjansk
Sllovjansk

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se suksesi i ushtrisë së vendit të tij, duke i dëbuar kryengritësit pro-rusë nga baza e tyre në qytetin Sllovjansk, paraqet “pikë kthese” në luftën kundër kryengritësve.

Por, Poroshenko mbrëmë vonë theksoi se rimarrja e Sllovjanskit dhe e qyteteve të tjera të afërta, në pjesën lindore të Ukrainës, nuk “është fitore e plotë” dhe se operacioni ushtarak për “çlirimin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk do të vazhdojë”.

“Më 5 korrik, forcat e armatosura të Ukrainës dhe Garda kombëtare e kanë çliruar Sllovjanskun prej terroristëve. Sot flamuri ukrainas prapë valon lart mbi qytet, të cilin militantët e armatosur e konsideronin se është kështjellë e paprekshme. Por, kjo nuk është fitore e plotë ende, dhe nuk ka arsye për të festuar me fishekzjarrë”.

“Megjithatë, pastrimi i Sllovajnskut nga bandat e kriminelëve me armatim të rëndë e ka një kuptim të rëndësishëm simbolik – është pikë kthese në luftën me militantët e armatosur për integritetin territorial të Ukrainës, për kthimin e jetës normale në Donbas, që është një pjesë e pandashme e vendit tonë të madh dhe të fuqishëm, Ukrainës evropiane”, tha Petro Poroshenko gjatë një paraqitjeje në televizion, të shtunën vonë.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, i urdhëroi zyrtarët qeveritarë që ta ripërtërijnë punën e policisë, të sistemit të drejtësisë, të mjekësisë dhe të agjencive higjienike, sa më shpejt që është e mundur.

Këto komente u bënë pak kohë pasi forcat qeveritare të Ukrainës e ngritën flamurin kombëtar në Sllovjansk, pasi i dëbuan kryengritësit pro-rusë, jashtë këtij qyteti industrial.

Ka pasur raporte për një numër të militantëve të vrarë gjatë luftimeve.

Raportohet se kryengritësit pro-rusë janë larguar nga qyteti dhe rajonet e afërta dhe janë nisur në drejtim të kryeqytetit rajonal, Donjeck.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, në rrjetin Facebook ka shkruar se luftëtarët militantë, po ashtu, ishin larguar në qytetin Horlivka, 50 kilometra në juglindje të Sllovjanskut, që i ka afro 260 mijë banorë. Horlivka ende mbetet nën kontrollin e kryengritësve pro-rusë.

Detyrimi që kryengritësit të largohen nga Sllovjansku është suksesi më i madh i Kievit gjatë fushatës gati tremuajshe për rimarrjen e kontrollit në pjesët e rajonit lindor, që mbahen nga separatistët pro-rusë.

Kryengritësit pro-rusë e kishin marrë qytetin Sllovjanks, me afro 120 mijë banorë, më 6 prill.

Në faqen në Internet të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, shkruan se shefi i ri i emëruar i Shtatmadhorisë së ushtrisë i ka thënë presidentit se luftëtarët separatistë janë sulmuar me predha, derisa ata ishin përpjekur të kalojnë nëpër linjat e forcave qeveritare rreth Sllovjanskut.

Raportohet se separatistët pro-rusë e kanë humbur një tank dhe makina të tjera të blinduara.

Prefekti i Luhanskit, Vladimir Pavlenko, tha se gjatë ditëve të hedhjes së predhave dhe sulmeve ajrore nga ushtria luftëtarët kryengritës janë detyruar që t’i braktisin pozicionet e rëndësishme strategjike në këtë qytet lindor.

Liderët e kryengritësve kanë thënë se ata janë tërhequr por nuk janë mundur.

“Rezistenca jonë nuk është thyer”, tha lideri kryengritës, Andrey Purgin, nga e ashtuquajtura “Republika Popullore e Donjeckut”.

Ai i tha agjencisë Interfax se luftëtarët kryengritës vetëm janë larguar nga qyteti me qëllim që ta mbrojnë popullatën civile. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG