Ndërlidhjet

logo-print

Kampionati botëror i futbollit i cili aktualisht po zhvillohet në Brazil, tashmë po shkon drejt përfundimit të tij. Ky kampionat tashmë gjendet në gjysmën e finales, ku katër përfaqësuese do të luftojnë për të arritur finalen.

Të martën në gjysmëfinalen e parë do të takohen përfaqësueset e Brazilit dhe Gjermanisë, ndërkaq të mërkurën takohen përfaqësueset e Argjentinës dhe Holandës.

Takimet e gjysmëfinales, por edhe finalja e botërorit janë duke u pritur me mjaft interesim edhe nga përfaqësuesit e medieve në Kosovë, të cilët kanë vlerësime të ndryshme lidhur me atë se cilat do të jenë zhvillimet në fund të botërorit.

Gani Kosumi, redaktor përgjegjës i sportit në Radio Kosovë, transmetues ky publik në vend, vlerëson se ndër katër ekipet gjysmëfinaliste, Gjermania ka përfaqësuesen më të kompletuar.

Në përballjen në gjysmëfinale me përfaqësuesen e Brazilit,sipas tij, Gjermania ka epërsi për shkak të mungesës së disa lojtarëve në përfaqësuesen e Brazilit, siç janë: Silva dhe Neymar.

“Kjo do të jetë një epërsi për ekipin gjerman dhe konsideroj se jo vetëm se do të shkoj në finale Gjermania, por edhe do ta fitoj këtë kampionat. Në anën tjetër, qifti tjetër, Holanda dhe Argjentina, do të jetë një përballje interesante e një përfaqësuese të Evropës dhe të një të Amerikës latine dhe mendoj se edhe këtu Holanda ka ekip më cilësor dhe do të shënoj fitore. Kështu që, unë konsideroj se në finale do të përballen Gjermania dhe Holanda, kurse fitues e shoh ekipin gjerman”, thotë Kosumi.

Fidan Rama nga Radio Dukagjini, vlerëson se dy ndeshjet, të martën dhe të mërkurën, do të jenë dy gjysmëfinale klasike, të cilat premtojnë spektakël të vërtetë të futbollit.

Por edhe ai beson se përfaqësuesja e Gjermanisë do të shkojë në finale, për shkak se në përballjen e gjysmëfinales ajo është më e përgatitur se përfaqësuesja e Brazilit, të cilës i mungojnë disa lojtarë.

Po ashtu, sipas tij mungesa të lojtarëve ka edhe Argjentina dhe në përballje me Holandën, kjo e fundit do të mbizotëroj dhe do të jetë finaliste..

“Do të shohim një finale evropiane në Brazil, me 13 korrik, ndërmjet Gjermanisë dhe Holandës dhe kjo ndoshta mund të jetë një nga ndeshjet më të paparashikuara. Por, megjithatë, unë përsëri një përparësi të vogël i jap Gjermanisë dhe besoj se do të jetë ajo që do të shpallet kampion në këtë botëror të Brazilit 2014, duke mos përjashtuar as përpjekjet e Holandës".

"Mirëpo, sidoqoftë, ajo që ka kapacitet më të mirë dhe përgatitje më të madhe, si në mbrojtje, po ashtu edhe në mesfushë dhe në sulm, është Gjermania dhe në fund, do të jetë ajo që do të ngritë trofeun e më të mirit në botë”, shprehet Rama.

Arben Ahmeti nga e përditshmja “Tribuna”, thotë se gjatë kampionatit botëror në Brazil ka pasur mjaft befasi nga përfaqësueset e vendeve që nuk janë llogaritur si favorite, por kanë treguar paraqitje mjaft të mirë.

Por, megjithatë, sipas tij, në gjysmëfinale kanë arritur katër përfaqësuese, siç i quan ai, me traditë, prej të cilave Brazilin e sheh si fitues të botërorit.

“Është shumë mirë që i kemi katër ekipe shumë të fuqishme. Përkundër befasive pozitive që i kemi pasur në këtë kampionat botëror, ka katër ekipe me traditë. Është shumë mirë që në dy gjysmëfinalet janë nga një kombëtare amerikane dhe nga një kombëtare evropiane. Unë pres që edhe finalja të jetë e tillë".

"Pres që në finale në mes të Brazilit dhe Holandës, të cilën në fund do ta fitoj Brazili. Edhe kësaj radhe kanë kualitet, por kësaj radhe shtohet edhe ky emocioni që na e shfaqën për futbollin dhe që na treguan se futbolli mund të jetë një botë tepër e veçantë, ashtu siç edhe është realisht”, shprehet Ahmeti.

Përparim Isufi nga gazeta “Jeta në Kosovë”, pret që të përsëritet finalja e botërorit të vitit 1990, të cilën, siç thotë ai,, dashamirët e futbollit në Kosovë nuk kishin arritur ta shohin dhe ta shijojnë për shkak të zhvillimeve politike që kishin ndodhur në atë kohë në Kosovë...

Unë e pres një finale ndërmjet Gjermanisë dhe Argjentinës, për disa arsye. Mendoj se Brazili nuk e ka dhënë atë që është pritur gjatë ndeshjeve të kaluara dhe pres që Gjermania t’i shfrytëzoj mungesat në lojtar të Brazilit, për ndeshjen e ardhshme. Gjithashtu, Argjentina më duket një shkallë më lart se Holanda. Një finale ndërmjet Gjermanisë dhe Argjentinës, për mua do të ishte kompensim i asaj finaleje të vitit 1990, të cilën nuk kam mundur ta shoh, për shkak të ndërprerjes së transmetimit të Televizionit të Prishtinës”, thekson Isufi.

Ndeshja finale e Kampionatit botëror të futbollit në Brazil, do të zhvillohet me 13 korrik.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG