Ndërlidhjet

Serbia po krijon parametrat ndarës në veri


 “Parku i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër

“Parku i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër

Pas rivendosjes së e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, autoritetet lokale në komunën e Mitrovicës së veriut, të mbështetura edhe nga Qeveria e Serbisë, po përpiqen të vendosin bllokadë të dyfishtë për qarkullimin e lirë, me vendimin për shndërrimin e disa rrugëve në afërsi të urës, në zona për këmbësorë.

Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë.

Shpend Kursani, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë zgjedhjeve lokale të mbajtura edhe në veri të vendit patën dhënë përshtypjen e integrimit të kësaj pjese, por në realitet, veprimet e fundit po nxjerrin në pah se shteti serb vetëm po e forcon ndarjen jo vetëm politike por edhe fizike të veriut të Kosovës, brenda vet territorit të saj.

“Bllokadat e rrugëve që po bëhen, janë vetëm vazhdim i një politike të njëjtë bllokuese dhe shpërfillëse ndaj Prishtinës dhe përfillëse ndaj interesave të Serbisë. Kjo, po ashtu, tregon se serbët nuk i besojnë shtetit të Kosovës, e sidomos serbët e veriut".

"Thjeshtë, rezistojnë në çfarëdo mundësi që ndonjëherë ta dëgjojnë Prishtinën apo institucionet e tyre, që në fakt do të duhej të ishin të tyre. Ky është rezultat i kësaj dhe unë mendoj se ata përsëri do të vazhdojnë, duke e tjetërsuar veriun sa më shumë, brenda territorit të Kosovës, por jashtë sovranitetit të saj”, thotë Kursani.

Njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Rangjel Nojkiq, vlerëson se shndërrimi i një prej rrugëve kryesore të qytetit në zonë këmbësoresh dhe shndërrimi i rrugës pranë urës mbi lumin Ibër në të ashtuquajtur “Sheshi i mbretit Llazar” - siç e kanë quajtur, udhëheqësit lokal dhe autoritetet e Beogradit – shikuar edhe praktikisht janë të panevojshëm dhe të gabueshëm.

Kjo, sipas tij, për shkak se hapësira e Mitrovicës së veriut, është mjaft e kufizuar dhe po ashtu edhe në gjendjen e tanishme ka vështirësi qarkullimi të automjeteve. Nojkiq thotë se po krijohet edhe një bllokadë e re ndaj qarkullimit të lirë..

“Të shndërrosh ata damarë kryesor të trafikut në zona të këmbësorëve në atë pjesë, praktikisht do të thotë të mobilizosh ose të bësh bllokadë të re ndaj lëvizjes. Kështu që unë mendoj se, para së gjithash, për arsye praktike është e papranueshme diçka që do ta ngufaste jetën në atë hapësirë. Kjo mund të arrij vetëm ndonjë efekt politik te banorët, në kuptimin e fitimit të poenëve patriotik. Mendoj se gjithçka tjetër është e dëmshme”, theksoi Nojkiq.

Sipas tij, duke marrë parasysh që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje të caktuara në Bruksel dhe kanë biseduar për çështjet e hapura, atëherë edhe më tutje, pa praninë e Brukselit, siç theksoi ai, ato duhet të bisedojnë lidhur me situata të tilla ose këtë mund ta bëjnë edhe organet lokale të Mitrovicës së veriut me ministrinë përkatëse të Qeverisë së Kosovës.

Por, analisti Kursani vlerëson se me veprimet e fundit, Beogradi zyrtarë, përmes udhëheqësve lokal në Mitrovicën e veriut, po krijon presion psikologji tek popullata serbe në atë pjesë, në mënyrë që, asnjëherë të mos komunikojë me shqiptarët dhe të mos e pranojnë shtetin e Kosovës.

“Çështja është se çka Serbia po përpiqet të bëj me këto bllokada? Unë mendoj se është vazhdim i strategjisë së Serbisë që ta betonojë atë pjesë edhe psiqikisht, por edhe fizikisht. Me këto bllokada, thjeshtë, po i qet parametrat potencialisht ndarëse dhe në rast të ndonjë ndryshimi të ndonjë rrethane rajonale apo ndërkombëtare, ta marrë pjesë të Kosovës brenda disa sekondave dhe pa kurrfarë mundi apo kurrfarë humbje. Do të thotë, ta kapë veriun pa kurrfarë problemi dhe shumë shpejt”, shprehet Kursani.

Por, analisti Nojkiq, vlerëson se zhvillimet e fundit në Mitrovicën e veriut janë me efekt të shkurtë politik që nuk do të japin efekte.

Sipas tij, për një ndarje të veriut të Kosovës, tashmë as që mund të bëhet fjalë.

“Nëse flitet për një ndarje, mendoj se për një gjë të tillë është shumë vonë dhe kushdo që tenton ta vendos në tavolinë teorinë e ndarjes, mendoj se është absolutisht joreal. Kjo për faktin se tashmë janë arritur disa marrëveshje në nivelin ndërkombëtar, dhe garantues për zbatimin e atyre marrëveshjeve janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombet e Bashkuara".

"Prandaj, t’i kthesh ato prapa është absolutisht joreale. Në anën tjetër, mendoj se kjo mund të krijoj probleme të reja të caktuara. Nuk është mirë që në tentim për t zgjidhur një problem, të krijohen probleme të tjera të reja”, tha Nojkiq.

Ndryshe, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ditëve të fundit ka qëndruar disa herë në Mitrovicën e veriut, ka theksuar se përurimi i të ashtuquajturit “Sheshi i Mbretit Llazar” do të bëhet brenda disa ditëve, ashtu sikurse edhe fillimi i ndërtimit të zonës së këmbësorëve në rrugët që tashmë janë përcaktuar nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG