Ndërlidhjet

Fitorja historike e Gjermanisë


Tifozë gjermanë...
Tifozë gjermanë...

Një Gjermani e pandalshme ka bërë histori në Kampionatin Botëror të Futbollit mbrëmjen e 8 korrikut, duke mposhtur Brazilin nikoqir me rezultat 7:1 dhe duke avancuar në finalen e 13 korrikut.

Gjermanët kanë shënuar pesë gola në 18 minuta, katër prej tyre vetëm brenda gjashtë minutash të gjysmëlojës së parë.

Thomas Mueller ka vënë Gjermaninë në epërsi në minutën e 11-të me goditjen nga qoshja. Gjermania ka dyfishuar rezultatin në minutën e 23-të me golin e Miroslav Klose, golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në Kupën e Botës, me gjithsej 16 gola.

Toni Kroos ka shënuar dy herë në minutën e 24-të dhe të 26-të, para se Sami Khedira të jepte golin e pestë në minutën e 29-të.

Në pjesën e dytë, Andre Schurrle ka shënuar dy herë brenda dhjetë minutash, duke i sjellë gjermanët në një avantazh të pabesueshëm, jo më pak se 7:0.

“Nuk e di çfarë të them. Ka qenë e pabesueshme, ata kanë qenë mahnitës. E paharrueshme, thjesht madhështore”, ka thënë Susa, një tifoze gjermane.

Oscar, ndërkaq, ka shënuar golin ngushëllues për Brazilin në minutën e 90-të, por ai nuk ka arritur të zbusë dhimbjen e brazilianëve nga humbja më shkatërruese në historinë e ekipit të tyre.

Brazili ka luajtur pa super-yllin Neymar, i cili është lënduar në çerekfinalen kundër Kolumbisë. Kapiteni i ekipit, Thiago Silva, ka qenë po ashtu jashtë lojës.

“Mendoj se ekipi i Brazilit ka humbur gjithë motivin pa Neymarin. Prania e tij është thelbësore për Brazilin. Brazili ka ndjerë mungesën e magjisë së Neymarit. Brazili ka nevojë për Neymarin. Pa të, Brazili është asgjë”, ka thënë një tifoz i kombëtares braziliane me emrin Octavio Pinto Da Silva.

Brazili ka shpresuar për titullin e gjashtë botëror, por, për herë të dytë, amerikanojugorët kanë humbur shansin për të fituar Kupën e Botës në terrenin e tyre.

Në atë që deri më 8 korrik është përshkruar si tragjedia më e madhe e ekipit të tij kombëtar, Brazili ka humbur finalen e vitit 1950 kundër Uruguajit me rezultat 1:2.

Por, kjo dramë është tejkaluar mbrëmjen e së martës dhe kapiteni i ekipit, David Luiz, u ka kërkuar falje “të gjithë brazilianëve”, ndërsa tranjeri Felipe Scolari ka thënë se kjo ka qenë “dita më e keqe” në jetën e tij.

Pikëllim për disfatën ka shprehur edhe presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff.

“Si çdo brazilian, jam shumë, shumë e pikëlluar për këtë humbje. Më vjen jashtëzakonisht keq për të gjithë ne, për tifozët dhe lojtarët tanë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Të papriturat e Kupës së Botës sigurisht se do të vazhdojnë, pasi tre ekipet e mbetura ndajnë rivalitete të thella kundër njëri-tjetrit.

Argjentina e Lionel Messit, ndoshta lojtarit më të mirë në botë, do të luajë sonte me Holandën, në orën 22:00, për një tjetër vend në finale.

Dy ekipet janë kundërshtare të vjetra. Argjentina ka fituar për herë të parë Kupën e Botës më 1978, duke mundur Holandën me rezultat 3:1, në kohën shtesë në Buenos Aires.

Gjermania dhe Argjentina kanë ndarë dy fitore në dy finale të Kampionatin Botëror; amerikanojugorët kanë fituar në Meksikë më 1986, ndërda katër vjet më vonë gjermanët kanë marrë titullin botëror në Itali.

Por, rivaliteti gjermano-holandez do të nxisë me siguri interes më të madh.

Dy fqinjët janë përballur në njërën nga finalet më dramatike të të gjitha kohërave në vitin 1974, kur Holanda, e udhëhequr nga legjenda Johann Cruyff, ka qenë në epërsi ndaj Gjermanisë në Mynih, por në fund është mundur nga goli i sulmuesit të madh gjerman, Gerd Mueller.(v.tela)

XS
SM
MD
LG