Ndërlidhjet

LDK, AAK e Nisma në një grup, PDK pretendon se është e para


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka filluar regjistrimin e deputetëve të zgjedhur për mandatin gjatë legjislaturës së pestë.

Procedurave të regjistrimit të mërkurën i janë nënshtruar deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila në koalicion edhe me disa subjekte më të vogla, ka fituar 37 ulëse.

Por, përkundër fitores, PDK po ballafaqohet me një bojkot të pjesës tjetër të spektrit politik, andaj përveç pretendimeve për të marrë nën drejtim organet e reja, nuk ka dalë ende me ndonjë sqarim konkret se si do t'i sigurojë votat për këto qëllime politike.

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndonëse nuk ka folur për detaje, ka thënë se PDK mbetet grupi më i madh parlamentar, ngase ligjet dhe Kushtetuta, sipas tij, nuk njohin koalicione pas zgjedhore, siç është rasti me bllokun e partive LDK, AAK dhe Nisma.

“Grupi më i madh është grupi i parë. Dëshmia më e mirë është edhe sot, kur në kuvend janë ftuar për regjistrim deputetët mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve, sepse nuk njihet grupet tjera. Ligjet dhe Kushtetuta nuk njohin koalicione tjera, përveç atyre para zgjedhore me të cilat hyjmë në zgjedhje dhe e njeh atë rezultat të zgjedhjeve”, ka thënë Grabovci.

Pavarësisht pretendimeve të Partisë Demokratike, e cila duke u thirrur në rezultatet e zgjedhjeve vlerëson se është grupi më i madh parlamentar, blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma, duke u mbështetur në marrëveshjen e tyre të koalicionit, kanë rënë dakord përfundimisht që në Kuvend të hyjnë si një grup i vetëm parlamentar.

Një bashkim i tillë, do ta nxirrte këtë grup me 47 deputetë.

Një grupim i tillë, sipas pretendimeve të këtij koalicioni, do t’u mundësonte atyre që të propozojnë kryetarin e Kuvendit, duke llogaritur se për zgjedhjen e kryekuvendarit do t’i kenë edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka konfirmuar se LDK, AAK dhe Nisma do të prezantohen si një Grup dhe se ai vetë do të jetë në krye të tij.

“Do të shkojmë në Kuvend si Grupi më i madh Parlamentar. Këto procedura lejohen sepse deputetë janë të lirë të vetë vendosin se cilit grup parlamentar do t’i takojnë”, ka thënë Mustafa.

Si asnjëherë më parë, skena politike në Kosovë është e ndarë në blloqe. Ky zhvillim ka sjellë një situatë mjaftë të turbullt rreth formimit të institucioneve të reja.

Dështimi eventual për formimin e institucioneve do të rrezikonte me zgjedhje të reja.

Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se u takon partive politike që pas zgjedhjeve mirë të organizuara, t’i formojnë vet institucionet e reja.

Ndërsa u ka dhuruar disa organizatave vendore pajisjet teknike të vëzhguesve të BE-së që përcollën nga afër zgjedhjet e 8 qershorit, Zbogar ka thënë se shpreson që nuk do të ketë nevojë për një mision të ri këtë vit.

“Dua të them në fund se shpresoj që nuk do të ketë nevojë për një mision tjetër vëzhgues gjatë këtij viti në Kosovë”, ka thënë Zbogar, duke falënderuar ekipin nga vendet e Bashkimit Evropian që kishte vëzhguar procesin e 8 qershorit.

Të shtunën, pritet që kryetari dhe kryesia nga përbërja e kaluar e kuvendit të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e partive politike që kanë siguruar ulëse në këtë mandat.

Aty, pritet të propozohet edhe rendi i ditës për seancën konstitutive të Kuvendit më 17 korrik. Pika kryesore e asaj seance, pritet të jetë ajo e përcaktimit të grupit më të madh parlamentar dhe zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG