Ndërlidhjet

logo-print

Çelësi për rastin “Monstra”, te Gjykata e Apelit


Ilustrim

Ilustrim

Ekspertët juridikë thonë se për çdo zgjidhje juridike të mundshme rreth rastit “Monstra”, çelësi mbetet te Gjykata e Apelit, në të cilin organ, sipas të gjitha gjasave, do të parashtrojë ankesë pala mbrojtëse e rastit në fjalë.

Profesori universitar, Osman Kadriu, njëherësh ish-gjykatës në Gjykatën e Shkupit, duke komentuar kërkesën e liderit të BDI-së për një proces transparent dhe që të mbikëqyret nga ekspertë të komunitetit ndërkombëtarë, që do të kenë qasje gjatë gjithë procesit dhe në të gjitha dëshmitë, thotë se kjo kërkesë është legjitime, duke sqaruar se gjithçka tani është në duart e Gjykatës së Apelit.

“Tani ka ngelur që çështja në fjalë të zbërthehet në kuadër të institucioneve. Në këtë fazë, përderisa kemi vetëm mendim të shkallës së parë, akoma flasim vetëm për të akuzuar dhe jo për të dënuar dhe ata i mbron një parim shumë i rëndësishëm kushtetues – prezumimi i pafajësisë”.

“Meqë në bazë të këtij parimi për asnjë nuk mund të thuhet se është fajtor për një vepër konkrete penale, për të cilën dyshohet se e ka kryer, përderisa nuk shpallet vendim i plotfuqishëm. E, ne deri më tani nuk kemi vendim të plotfuqishëm”, thotë Kadriu, ekspert i çështjeve juridike.

Ai nënvizon se Gjykata e Apelit ka tre mundësi në bazë të cilave mund të veprojë.

“Në rastin e parë që shpresoj në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë, është që Gjykata e Apeli t`i hedhë të gjitha ankesat dhe të vërtetojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Mundësia e dytë është që vendimi i shkallës së dytë të jetë pozitiv në kuptimin që të pranohen ankesat e palës mbrojtëse dhe tërë lënda të kthehet në rishqyrtim”.

“Besoj ky vendim do të ishte më i mirë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, sepse nëse kthehet në rishqyrtim e tërë procedura gjyqësore, mund të marrë një kahe krejtësisht tjetër”.

“Dhe, si mundësi e tretë është që Gjykata e Apelit duke i aprovuar ankesat e palës mbrojtëse, vetë të vendosë për lëndën - do të thotë të gjykojë rastin penalo-juridik, të veprojë sipas aktakuzës, t’i nxjerrë të gjitha provat dhe dëshmitë, t’i dëgjojë të akuzuarit dhe palën mbrojtëse dhe në fund të vendos një vendim gjyqësor, pa e kthyer lëndën në shkallën e parë”, sqaron Kadriu.

Nga ana tjetër, Sllagjana Taseva, ligjëruese e Së Drejtës Penale duke komentuar sugjerimin e deputetit të BDI-së, Artan Grubi, që ky proces të zhvillohet në sy të opinionit dhe medieve, njëjtë si proceset gjyqësore, të cilat ishin të procesuara në Tribunalin e Hagës, thotë se këtë e mundësojnë dhe ligjet e Maqedonisë.

”Transmetimi i seancave gjyqësore njëjtë si ato në Tribunalin e Hagës, garantohet në bazë të ligjeve ekzistuese, po qe se nga gjykatësi që e ka lëndën gjegjësisht kryetari i gjykatës, ku realizohet procesi, merret leje që i tërë procesi të incizohet, pra të realizohet para syve të opinionit më të gjerë, përmes një transmetimi televiziv, përkatësisht mos të ketë seanca gjyqësore të mbyllura“, konsideron Taseva.

Ajo thekson se të gjitha seancat gjyqësore në Maqedoni, edhe ashtu janë të hapua, përpos në rastet e veçanta kur ka dëshmitarë të mbrojtur, ose në raste kur bëhet fjalë për informacione me karakter të besueshëm.

”Deri më tani nuk kemi pasur një praktikë të tillë, pra seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt para opinionit, por kjo mundësi nuk do të thotë se duhet shmangur tërësisht në praktikat e vendit”, shton Taseva.

Ndryshe, edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë takimeve që ka pasur me diplomatët e huaj, ka kërkuar transparencë të plotë rreth procesit gjyqësor “Monstra”.

Protestat disaditore, të cilat organizohen në më shumë qytete të Maqedonisë dhe jashtë vendit, të cilat të mërkurën kanë vazhduar në Kumanovë, janë bërë shkas edhe për zënka ndërmjet partive shqiptare në Maqedoni.

PDSH-ja, për situatën në vend, e ka akuzuar partinë shqiptare në pushtet BDI-në, e cila edhe pse ka dy mandate që drejton dikasterin e drejtësisë, shqiptarët ende vazhdojnë të jenë viktimë e gjykimeve të padrejta.

XS
SM
MD
LG