Ndërlidhjet

logo-print

Me gjithë faktin se bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë mjaft profitabile dhe me një qëndrueshmëri stabile, normat e kamatave për kredi vazhdojnë të jenë shumë të larta.

Ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se tashmë ka hapësirë të mjaftueshme për uljen e niveli të interesit për kredi, por sipas tyre, institucionet financiare bëjnë marrëveshje për fiksim të kamatave.

Ndryshe, sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti, normat e interesit për kredi ishin 11.6 për qind. Por, kjo varet nga banka dhe lloji kredisë, pasi normat e interesit arrijë deri në 15 për qind.

Eksperti për çështje financiare, Mejdi Bektashi, për Radion Evropa e Lirë thotë se konkurrenca e pamjaftueshme në sektorin bankar ka bërë që kamatat për kredi të jenë të larta.

Megjithatë, ai konsideron se më licencimin edhe të dy bankave tjera komerciale, kamatat e kredive deri në fund të vitit, do të arrijnë në njëshifrore.

“Është edhe një fakt tjetër se një pjesë e madhe e kapitalit të lirë të qytetarëve të Kosovës, por edhe të institucioneve po deponohen në institucionet ndërkombëtare bankare me norma shumë të ulëta të interesit".

"Me kthimin e këtyre mjeteve drejtpërdrejt do të rritet oferta e kapitalit të lirë që do të ndikojë në uljen rapide të normave të interesit. Unë shpresoj se në pjesën e katërt të këtij viti, normat e interesit mesatarisht do të ulen në shifra njëshifrore”, thekson Bektashi.

Ndryshe, afër 500 mijë, është numri i kredive të huazuara nga qytetarët në nëntë bankat komerciale, me një vlerë prej 1.8 miliard euro, duke përfshirë këtu kredi të llojeve të ndryshme dhe kredit-kartelat.

Në anën tjetër, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se me kamatat aktuale, vetë bankat komerciale po rrezikojnë procesin e kthimit të kredive.

Në bazë të një hulumtimi të këtij subjekti ekonomik, Shahini thotë se institucionet financiare bankare kanë marrëveshje gojore në mes vete për mbajtjen e këtyre kamatave të kredive.

“Natyrisht se këto ekzistojnë në të gjitha vendet por edhe në Kosovë. Ne kemi bërë hulumtime, indikatorët dhe shenjat tregojnë se nuk ka marrëveshje të shkruara por ka marrëveshje gojore që janë 'valide' në mes tyre. Nuk do të dëshiroja që të ketë marrëveshje të tillë, por dyshimet gjithmonë ekzistojnë pasi që disa vite interesat kanë mbetur në nivel të njëjtë".

"Bizneset vazhdimisht po ankohen në banka dhe kemi më shumë se 25 për qind të bizneseve që kanë falimentuar si pasojë e interesit dhe kredive që nuk kanë mundur t'i kthejnë në bankë”, bën të ditur Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Mejdi Bektashi thotë se raste të tilla ka pasur edhe në shtetet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, por autoritete kompetente hulumtojnë tregun dhe ndëshkojnë bankat për marrëveshje të tilla.

“Në Kosovë nuk kemi ndonjë vendim të tillë, por bankat mund të vërtetojnë atë, me uljen e normave të interesit se nuk kanë marrëveshje 'gjentelmene' për të fiksuar normat e interesit. Në fund të fundit, ky është obligim i institucionit përkatës që të kontrolljë konkurrencën dhe të zbatojë konkurrencën e lirë në mes të subjekteve bankare në tregun financiar të Kosovës", tha Bektashi.

Ndryshe, për këto parregullsi eventuale që bëjnë kompanitë apo institucionet financiare, ekziston Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës, që është krijuar në bazë të Ligjit mbi Konkurrencën.

Ky ligj ndalon te gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës ne treg.

Në bazë të këtij ligji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG