Ndërlidhjet

Kurti, tri ditë afat treshes LDK, AAK dhe Nisma


Albin Kurti
Albin Kurti

Nuk ka votë të Vetëvendosjes për koalicionin Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, pa u miratuar në formë të shkruar parimet e vendosura nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kjo është thënë të enjten pas një takimi që zgjati mbi tri orë, ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, atij të AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarit të Nisma-s, Fatmir Limaj dhe Albin Kurtit të Vetëvendosjes.

Bllokut LDK, AAK dhe Nisma, kësaj radhe i është bërë e qartë se deri të dielen duhet t’i pranojë kushtet e Vetëvendosjes, për ripozicionimin e Kosovës në raport me dialogun me Beogradin dhe ndryshimin e politikave të privatizimit, në të kundërtën s’do të ketë vota për koalicionin që udhëhiqet nga Haradinaj.

“Pa marrëveshje nuk e japim votën. Gjatë këtyre tre ditëve besoj do ta arrijmë dakordimin për të cilën kemi shprehur gatishmëri. Jemi të gatshëm të marrim pjesë në ekzekutivin e ardhshëm, por jo pa marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Deri të dielën, është afati i arritjes së këtij dakordimi, ka deklaruar pas takimit Albin Kurti, i Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, i propozuari i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka pranuar se takimi i së enjtes nuk ishte i lehtë.

“Mendoj që ka qartësime. Ende është herët të flasim si do të vazhdojmë më tutje”, ka thënë Haradinaj.

Ekipi i ekspertëve, ka vijuar ai, do të punojë që në etapat e ardhshme të ecet më shpejt drejt marrëveshjes

“Me rëndësi është që deri në seancën që do të mbahet te enjten tjetër, të konfirmohet ajo që kemi thënë ne si katër partitë opozitare - jo qeveri e re e regjimit të vjetër”, ka theksuar lideri i AAK-së.

Formulat politike të LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s, po vihen në pikëpyetje nga kushtet “parimore” të Vetëvendosjes.

Këto tri parti politike, po synojnë që më 17 korrik, si grup unik parlamentar të kandidojnë edhe për postin e kryetarit të Kuvendit.

Por, ngjashëm si në rastin e qeverisë, as në këtë pozitë nuk do të kenë kurrëfarë gjasash që të zgjedhin kryekuvendarin, nëse nuk e sigurojnë mbështetjen e Vetëvendosjes.

XS
SM
MD
LG