Ndërlidhjet

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, i cili që nga viti 2013 i përfaqëson pensionistët kontribut-pagues, pensionistët invalidor, shfrytëzuesit e pensioneve familjare, pensionistët bazik dhe strukturat tjera, siç janë zejtarët e të tjerë, ka thënë se pozita e një pensioisti sot në Kosove është shumë e vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kajtazi, cilat janë problemet e përditshme të pensionistëve?

SHABAN KAJTAZI

Të them të drejtën, pozita e pensionistëve prej pasluftës e sot, është ende e pazgjidhur. Megjithëqë janë bërë përpjekje si në aspektin material, ashtu edhe në aspektin e përmirësimit e pozitës shoqërore të tyre. Por, nivelin që e kanë gëzuar përpara ende nuk është arritur dhe ne jemi në rrugë që ta përmirësojmë pozitën e tyre në të gjitha aspektet.

Ne i kemi disa institucione që janë shfrytëzuar përpara, siç është objekti i pensionistëve në Brezovicë, që i ka 87 shtretër, por ai nuk shfrytëzohet. Janë shumë institucione në Banjë të Pejës, që nuk po mund t'i adaptojmë për pensionistët.

Kështu që, përveç bazës materiale, pensioni, që nuk është adekuat, janë edhe shumë elemente dhe faktorë tjerë që ndikojnë në pozitën e pensionistëve. Ne po përpiqemi, po ende duhet ta kemi përkrahjen e institucioneve të pushtetit, prej Qeverisë, Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, partitë politike dhe institucionet tjera, e deri te shoqëria civile.

RADIO EVROPA E LIRË
Si jeton sot një pensionist në Kosovë?

SHABAN KAJTAZI

Sot një pensionist është mjaft në pozitë të vështirë, edhe pse janë bërë përmirësime. Pensionistët kontribut-pagues, prej vitit 2012, me rritjet që janë bërë, tani i marrin 140 euro. Por ky pension ende nuk është i nivelit që i takon një pensionisti.

Gjithashtu, përpiqemi që t'ua lehtësojmë pozitën e tyre me barna gratis, prej ministrisë, janë 7 qendra që punojnë. Por, edhe aty më shumë nuk ka barna që ju duhen pensionistëve, sesa që ka.

Përpiqemi t'i çojmë në det, përpiqemi me institucionet shëruese, siç janë banjat dhe vendet malore, me një zbritje të konsiderueshme, por këtë zbritje nuk e kemi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që me ligj e ka për detyrë ta ndihmojë këtë kategori, por i kemi nga pronarët e objekteve që i ofrojnë. Megjithëatë, pozita e tyre është larg nga ajo që duhet ta kenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni protestuar disa here duke kërkuar një trajtim më të mirë për pensionistët, që nga miratimi i Ligjit për pensionistët e kërkesa të ngjashme. Keni ndonjë përgjigje nga autoritetet lidhur me këto kërkesa ?

SHABAN KAJTAZI

Ne kemi organizuar edhe protesta, edhe subjekte tjera kanë organizuar protesta. Kemi kontaktuar prej presidentes, zonjës Jahjaga, kryetarit të Kuvendit Krasniqi, kryeministrit Thaçi...nuk ka strukturë që nuk kemi kontaktuar. Me gjitha përpjekjet dhe premtimet që janë dhënë, ende nuk kemi arritur ato çka ne i kërkojmë.

Kjo për shkak se nuk ka ekzistuar ligji përpara. Më 6 maj të vitit 2014, është miratuar ligji, megjithëse ky ligj nuk i kënaq kërkesat e pensionistëve, nuk ka përformancë të mirëfilltë juridike, nuk bën zgjidhje përmbajtësore financiare, janë lënë shumë çështje të zgjidhen me akte nënligjore, udhëzime administrative.

Është e mundshme me ligj të bëhet kategorizimi i pensionistëve prej 1 deri në 4 kategori, është pranuar edhe stazhi i punës për ato kategori që kanë punuar veçmas për arsimin, të cilët kanë edukuar gjeneratat e reja. Por është lënë në mangësi që nuk janë përfshirë të gjithë punëtorët të cilët janë dëbuar me dhunë nga Serbia.

Këtu është bërë një vlerësim i njëanshëm, ngase nuk janë përfshirë të gjitha kategoritë, që janë përjashtuar pa fajin e tyre, me dhunë nga shteti i Serbisë. Ne kemi kërkuar që të përfshihen, për 10 vjet të pranohet stazhi i të gjitha kategorive që janë dëbuar me dhunë nga Serbia.

Por, Kuvendi atë nuk e ka pranuar, ne do të kërkojmë edhe më tutje që ky ligj t'i vendos në pozitë të barabartë, si arsimin që kanë dhënë kontribut të madh, por edhe punëtorët tjerë që nuk janë fajtorë që i ka përzënë Serbia me dhunë nga vendet e punës. Presim ministria ta marrë në duart e veta, ligji ka hyrë në fuqi, ligji është nënshkruar prej presidentes, është shpallë në fletën zyrtare, dhe presim që ministria ta marrë dhe t'i nxjerrë aktet nënligjore ngase parashihet që ky ligj të implementohet prej janarit të vitit 2015.

Nëse ministria do dhe është e përgjegjshme që të implemetohet ky ligj ashtu siç e ka paraparë Kuvendi, atëherë ata duhet sa më shpejt t'i përgatitin dhe t'i përpilojnë aktet nënligjorë, që të mund të implementohet ligji në fjalë, sipas parashikimeve ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush sa do të duhet të ishin të ardhurat e një pensionisti?

SHABAN KAJTAZI

Të ardhurat e një pensionisti do të duhej të ishin, në rastin më të mirë, deri në 60% të pagës mesatare të Kosovës të vitit paraprak. Ajo do të ishte më reale. Më parë ka shkuar pensioni deri në 85% të pagës mesatare që ka pasur punëtori, qoftë i arsimit, qoftë në struktura tjera. Por, duke i ditur ne rrethanat dhe bazën materiale të Kosovës, do të ishte më së miri që të mos mbetet nën 50-60% të pagës mesatare. Ne kemi kërkuar prej 40 deri në 60 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse merren parasysh çmimet e artikujve ushqimorë apo edhe faturave, qoftë të energjisë elektrike të ujit e tjera, sa janë të përballueshme këto shpenzime për një pensionist në Kosovë?

SHABAN KAJTAZI

Këto janë të papërballueshme. Madje, niveli që marrin sot 140 euro, nuk mund t'i mbulojë vetëm medikamentet, pa i përmendur taksat komunale, bukën, e gjithë ato që i përballon një pensionist. Këto 140 euro janë të pamjaftueshme për një pensionist.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG