Ndërlidhjet

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur të shtunën me kryetarët e partive politike, ka caktuar rendin e ditës për seancën që do të mbahet më 17 korrik, por pa prezencën e perfaqësuesve të PDK-së.

Kryesia, sipas kryetarit në largim të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka vendosur që grupi më i madh parlamentar LDK-AAK-Nisma, pjesë e të cilit është edhe vetë Krasniqi, e ka të drejtën e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

“Ne në këtë rast kemi grupin më të madh parlamentar deri më tani, të konfirmuar me nënshkrime me 47 deputetë dhe ky konsiderohet grupi më i madh parlamentar. Të gjitha pikat që janë përcaktuar për seancën e radhës janë bërë me konsensusin e të gjithë atyre që ishin prezentë”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili e ka lëshuar takimin disa minuta pasi kishte filluar tha para gazetareve se në takim janë parë përpjekje që përmes "muskujve politik", të humburit të shkelin mbi rregullat dhe ligjet.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se PDK-ja e ka grupin më të madh parlamentar dhe asaj i takon kryeparlamentari.

“Nuk dua të ndodh diçka e jashtëzakonshme, duhet të respektohet rregullorja e punës së Kuvendit, duhet të respektohen ligjet e Kosovës, Kushtetuta. Do të respektohet në tërësi vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe si parti politike dhe koalicion fitues do ta implementojmë në përpikmëri vullnetin e qytetarëve të Kosovës. E theksoj edhe njëherë se nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që një grumbull muskujsh politik të humbur të dominojnë mbi rendin, ligjin dhe Kushtetutën”, tha Thaçi.

Kreu i PDK-së Hashim Thaçi, para gazetarëve ka treguar edhe një dokument të Sekretarisë së Kuvendit, se si do të ulen deputetët në këtë seancë, ku ulëset kryesore në mes të sallës i takojnë PDK-së.

Një dokument të tillë, kryeparlamentari në largim Jakup Krasniqi e ka konsideruar si jovalid.

“Kjo mbledhje që e mbajtëm sot është organi përgjegjës për të përgatitur seancën e radhës dhe çdo dokument tjetër që ka mundur të rrjedhë, ka mundur të rrjedh në mënyrë shoqërore, por për neve si kryesi, si trup i përbashkët që ishim, është dokument joekzistent”, tha Krasniqi.

Kurse, kryetari i LDK-së Isa Mustafa i cili thuhet se do të marrë postin e kryeparlamentarit, tha se vendimi i kryesisë aktuale ishte në përputhje me Kushtetutën.

Musatafa tha se takimi i kryesisë ka kaluar dhe është zhvilluar konform rregullave dhe proceduarave të duhura.

“Nuk ka muskuj (politik) se asnjeri nuk foli para zotit Thaçi. Ishte duke udhëhequr takimin kryetari i kuvendit dhe nuk kishte asnjë përplasje, asnjë sjellje jo korrekte. Ai ( Hashim Thaçi ) e tha të veten dhe doli. Dhe nëse dikush ka treguar muskuj aty ka treguar ai, i cili nuk e ka pranuar dhe nuk ka qenë tolerant në një bisede e cila kishte me qenë bisedë demokratike”, tha Mustafa.

Koalicioni Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, llogarit në mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit dhe të formojë qeverinë.

Por, Lëvizja Vetëvendosje kushtëzon mbështetjen e saj me disa çështje që kanë të bëjnë, mes tjerash, me ndryshimin e qasjes së Kosovës kundruall bisedimeve me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Glauk Konjufca, i cili ka qenë në mbledhjen e fundit të kryesisë se Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e katërt, tha para gazetarëve se deri të dielën presin që parimet e tyre të miratohen në formë të shkruar.

“Nëse nuk arrihet marrëveshja jonë me grupin parlamentar LDK-AAK-Nisma, ne që tash u themi atyre se nuk mund ta votojmë askënd as për hatër e as për inat të ndonjë individi", tha Konjufca.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten më 17 korrik, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG