Ndërlidhjet

logo-print

Bankat komerciale në Kosovë përmes reklamave të ndryshme kanë filluar t’i informojnë qytetarët se ofrojnë kredi për pushime.

Një ofertë e tillë e bankave, ndonëse për disa qytetarë konsiderohet të jetë lehtësuese dhe e mirë për t’i mundësuar vetes pushime, një kredi e tillë nuk arsyetohet nga njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Praktika e marrjes së kredisë për pushime nga disa familje kosovare, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi nuk është një sinjal i mirë edhe për familjen, por edhe për ekonominë.

Sipas tij, vetë fakti se ato detyrohen që të marrin kredi për pushime ato nuk kanë kapacitetet financiare për të bërë pushime.

“Unë jam ithtar i asaj që secili prej nesh dhe çdo familje duhet ta shikojë buxhetin e vet dhe kapacitetin financiar dhe t’i bëjë pushime në harmoni me mundësitë e familjes. Nuk mund të pretendojmë ne që të marrim kredi dhe të udhëtojmë jashtë vendit për të bërë pushime, ndërsa kursimet e tërë vitit do ti alokojmë në destinacionin e shlyerjes së kredive”, thekson Gashi.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, afër 500 mijë është numri i qytetarëve që kanë kredi në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, me një vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

Shuma më e lartë e kredive është për tregti, prej mbi 647 milionë eurosh dhe kredi individuale, ku përfshihen kreditë familjare, amvisëri, kredi konsumuese, të cilat arrijnë në 517 milionë euro.

Familja Berisha në vitin e kaluar ka marrë një kredi për pushime. Afatin e kthimit të kredisë e ka pasur brenda 12 muajve dhe me normë të lartë të interesit.

Loriku, i cili e ka marrë kredinë për pushime në vlerë prej 2 mijë euro thotë se ende nuk ka arritur ta kthen të tërën.

“Kam marr një kredi për pushime në një bankë komerciale në Kosovë, oferta nuk ka qenë e mirë, por që doja të shkoja në pushime dhe nuk kisha mundësi tjetër, vendosa ta marr, por që jam i bindur se nuk ja vlen pasi që një vit jam duke paguar këstet e asaj kredie”, thotë ai.

Normat e kredive në Kosovë sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e tyre marrin kredi edhe në institucionet mikrofinanciare.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga bankat komerciale të cilët ofrojnë këtë lloj të kredisë, por nuk ka arritur të marrë ndonjë prononcim lidhur me këtë çështje.

Bankat komerciale reklamojnë ofertat e tyre për kredi për pushime. Shuma minimale e kredisë që ata e ofrojnë për klientët e tyre është 100 euro ndërsa shuma maksimale është deri në 3.000 euro.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi vlerëson se kredia është një mënyrë e mirë me të cilat zhvillohen edhe familjet, por që marrja e kredisë duhet të bëhet për gjëra të nevojshme.

“Zakonisht kreditë merren për të bërë pushime jashtë vendit. Unë mendoj që ato familje që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime jashtë vendit, të gjejnë alternativa më të lira dhe të mos futen në kredi, pasi që kreditë merren për zhvillimin dhe zgjerimin e familjes siç janë prona, amvisëria, mobilieritë, renovimet dhe ato e përmirësojnë edhe kualitetin e jetës së familjeve, ndërsa marrja e kredisë për të shkuar në pushime nuk e përmirëson kualitetin e jetës as të kryefamiljarit as fëmijëve e as të familjes”, thotë Gashi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG