Ndërlidhjet

Nuland takon liderët, merr zotim për dialogun


Presidentja Jahjaga në takim me ndihmës Sekretaren e shtetit të SHBA-ve për Evropë dhe Azi, ambasadoren Victoria Nuland.
Presidentja Jahjaga në takim me ndihmës Sekretaren e shtetit të SHBA-ve për Evropë dhe Azi, ambasadoren Victoria Nuland.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ka qëndruar të dielën në Kosovë, në kuadër të një turne vizitash në vendet e Ballkanit.

Diplomatja amerikane Nuland, është takuar fillimisht me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë nga presidenca, thuhet se zonja Jahjaga ka siguruar ndihmës sekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Me angazhimin në dialogun intensiv me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës do që të krijojë normalizim dhe të forcojë sovranitetin e saj. Progresi i arritur deri tani është i rëndësishëm por që zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e BE-së janë faktor kyç, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja Jahjaga, thuhet në komunikatë, ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin, por ka theksuar se “Kosova i është përgjigjur me konstruktivitet duke ndërmarrë hapa të fuqishëm ligjor dhe të sigurisë për të mposhtur këtë kërcënim dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër këtij fenomeni negativ”.

Jahjaga ka thënë po ashtu se “Kosova nuk do të jetë vend i sigurt ose rrugë tranzitore për këto elemente dhe do të punojë në partneritet të ngushtë me aleatët për të adresuar këto kërcënime”.

Kurse, ndihmës sekretarja Nuland, sipas komunikatës për media të presidencës, ka ritheksuar përkrahjen e fuqishme të Qeverisë Amerikane për Kosovën dhe përpjekjet e saj drejt integrimit më të gjerë Euro-Atlantik.

Ajo ka theksuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe progresin e implementimit të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel më 19 Prill 2013.

Nuland citohet të ketë mirëpritur vlerësimet e presidentes në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit, dhe është pajtuar në nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm, thuhet në komunikatë.

Në takim zonjën Nuland e ka pritur edhe kryeministri në largim Hashim Thaçi.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve.

“Tani pas përmbylljes së procesit zgjedhor, me përkushtimin më të lartë institucional dhe politik po punojmë për implementimin e rezultatit zgjedhor, duke formuar institucionet e reja demokratike, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në këtë proces, besoj se i gjithë spektri politik i Kosovës do të reflektojë seriozitetin dhe pjekurinë e lartë politike”, citohet të ketë thënë Thaçi në takim me zonjën Nuland.

Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri në largim Thaçi thuhet në komunikatë t’i ketë thënë zonjës Nuland se “Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të këtij procesi ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera sektoriale, të arritura mes dy vendeve. Në këtë proces, janë arritur rezultate konkrete, por ka edhe ngecje në implementim nga ana e Serbisë”.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Nuland është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të dy liderët e këtyre dy partive politike pas takimit me zonjën Nuland deklaruan se kanë biseduar për proceset nëpër të cilën është duke kaluar Kosova, sidomos pas procesit zgjedhor të zgjedhjeve të tetë qershorit.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se në takim me zonja Nuland janë zotuar se janë duke u angazhuar të punohet drejt për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës.

“U zotuam se do të respektojmë gjitha procedurat demokratike, në këtë proces në të cilën jemi, se do të punojmë për interes të qytetarëve dhe interes të vendit dhe këmbyem mendime lidhur me strategjitë dhe perspektivat e zhvillimit të Kosovës dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të proceseve në të cilat ne duhet t’i kalojmë në integrimet evropiane”, tha Mustafa para gazetarëve.

Kurse, pas takimi me zonjë Nuland, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha:

“Ishte konfirmim i obligimeve që ka marr vendi, i vazhdimit të përgjegjësive që ka Kosova, planin e brendshëm edhe planin regjional por edhe aftësimin e Kosovës për anëtarësimin në BE dhe NATO në OKB, pra në të gjitha drejtimet e zhvillimit qeverisës në vend”.

Ndryshe, gjatë qëndrimit në Kroaci, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Nuland ka përdorur fjalor të ashpër sidomos për korrupcionin në Ballkan.

“Korrupsioni gjithashtu kërcënon sovranitetin kombëtar për shkak se çdo politikan i pistë në mesin tonë, apo çdo kontratë jo-transparente që lejojmë, krijon një tjetër vrimë të zezë cenueshmërie dhe një mundësi për shkatërrim nga forcat e jashtme”, ka deklaruar Nuland në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik.

XS
SM
MD
LG