Ndërlidhjet

Shumë mospajtime rreth programit bërthamor të Iranit

  • RFE /RL

Famuri i Iranit

Famuri i Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po paralajmërojnë se ka mospajtime të mëdha në bisedimet që po mbahen në Vjenë për programin bërthamor të Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë këtë deklaratë të dielën në Vjenë.

"Duket që kemi disa boshllëqe të mëdha, pra kemi nevojë që të shohim nëse mund të arrijmë progres”.

Ai e ka bërë këtë deklaratë para nisjes së takimit të sotëm për Iranin, ku po merr pjesë edhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton dhe disa ministra me rëndësi të BE-së që kanë udhëtuar drejt Vjenës për të marrë pjesë në këto negociata.

Deklaratave paralajmëruese të Kerrit i shtohen edhe ato të negociatorit kryesor të Iranit, zëvendës ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Televizioni shtetëror iranian e ka cituar Araqchin duke thënë se “nuk kemi arritur të zvogëlojmë boshllëqet e mëdha në disa prej pikave kryesore dhe nuk është ende e qartë nëse do të arrijmë t’i tejkalojmë ato”.

Deklaratat janë bërë derisa gjashtë fuqi të botës dhe Irani po mundohen që të arrijnë marrëveshje para 20 korrikut që është afati i fundit për t'u pajtuar për programin bërthamor të shtetit islamik.

Pika kyçe ku nuk po arrihet pajtim është pasurimi i uraniumit, një proces që mund të prodhojë karburant bërthamor, por edhe material për prodhimin e bombës bërthamore.

Një zyrtar i lartë amerikan që është i pranishëm në këto bisedime duke folur në kushte anonimiteti ka thënë se mbrëmë se ka pasur progres në negociata, por se Irani po mban “pozicione jo adekuate dhe mbi të cilat vështirë se mund të negociohet” në disa prej çështjeve kryesore.

Zyrtari amerikan ka përmendur si shembull për pozicione të tilla deklaratën e liderit suprem iranian, Ali Khamenei, i cili ka thënë se Irani e ka për qëllim të rrisë numrin e centrifugave të pasurimit të uraniumit nga 10 mijë sa ka tani, në rreth 190 mijë.

Gjashtë fuqitë botërore duan një reduktim të madh, megjithatë shtetet perëndimore kanë thënë se aktivitetet e Iranit në këtë fushë mund të jenë “pjesë” e fuqive që tani ekzistojnë në këtë shtet.

"Është tejet e rëndësishme që të sigurohemi që Irani nuk do të ndërtojë armë bërthamore, që programi i tyre është vërtetë paqësor. Për këtë arsye ne jemi këtu duke bërë përpjekje për ta arritur këtë dhe shpresoj që ne do të mund të arrijmë progres”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Një zyrtar i lartë amerikan në Vjenë duke folur në kushte anonimiteti e ka bërë të qartë që nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 20 korrik, Kongresi dhe presidenti amerikan do e mbajnë pozicionin e tyre ndaj Iranit dhe se është tërësisht e qartë që të gjitha opsionet mbesin të qarta.

Më 12 korrik, zëvendësministri i jashtëm iranian, Araqchi ka thënë se Teherani është i gatshëm që të largohet nga bisedimet nëse “kërkesat e tëpërta të perëndimit bëjnë që këto negociata të dështojnë”.

Shumë ekspertë besojnë që nëse Kerry dështon të bind Iranin të tërhiqet prej pozicionit aktual, ai do i rekomandojë presidentin amerikan, Barack Obama, që afatin e 20 korrik ta shtyjë më tutje.

Gjashtë fuqitë e botës që po negociojnë me Iranin përfshinë, SHBA-të, Kinën, Rusinë, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Britania, Franca dhe Gjermania gjithashtu kanë dërguar ministrat e jashtëm në kryeqytetin austriak për bisedime me Iranin.

Mirëpo, Kina dhe Rusia, kanë dërguar zyrtarë më pak të rëndësishëm.(a.haraqija)

XS
SM
MD
LG