Ndërlidhjet

Maqedoni: Pasiguria në vend, pasoja të mëdha në ekonomi


Ilustrim

Ilustrim

Protestat e ditëve të fundit që kanë përfshirë Maqedoninë, por edhe incidentet tjera ndëretnike të pranishme tani një kohë të gjatë, kanë krijuar pasiguri të madhe në vend që detyrimisht reflektohen edhe në zhvillimet ekonomike, duke shkaktuar ngecje në realizimin e objektivave të kompanive, mungesë të investimeve, por edhe kujdes të qytetarëve për të mos shpenzuar pa nevojë.

Kështu vlerësojnë nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore duke komentuar përshkallëzimin e protestave për rastin “Montra“ si dhe pasojat ndaj klimës afariste në vend.

“Kjo situatë sigurisht se ka ndikime negative në ekonomi, edhe atë në dy drejtime; e para në drejtim të realizimit të objektivave të kompanive për të realizuar shitje sa më të mëdha ndërsa pasojat tjera do të vijnë nga konsumatorët pasi në një situatë të tillë sigurisht se edhe konsumatorët përzgjedhin në shkallë të theksuar se çfarë është prioritet i tyre“, thotë Arben Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Kryetari i Konfederatës së afaristëve së Maqedonisë, Mile Boshkov thotë për Radion Evropa e Lirë se kompanitë vendore tani më janë mësuar të funksionojnë në atmosferë të tensionuar andaj edhe gjendja e këtillë nuk ndikon ndoshta edhe aq shumë në punën e tyre, por kjo nuk vlen edhe për investitorët e jashtëm, të cilët sipas tij do të tërhiqen edhe më shumë nga investimet në Maqedoni.

“Një situatë e tillë përçon mesazhe negative tek organizatat ndërkombëtare, tek faktori ndërkombëtar, partnerët tanë rajonal, apo tek investitorët e huaj. Ata do të hamenden nëse do të sjellim kapitalin e tyre këtu, madje besoj se edhe ato kompani që tashmë kanë vendosur të investojmë, këtë vendim do ta anulojmë për ndonjë periudhë më të mirë“, thotë Boshkov.

Kohë më parë, edhe drejtori i Odës Ekonomike Gjermane, Martin Knal tërhoqi vërejtjen se investitorët e huaj kërkojnë klimë stabile për investime pasi në të kundërtën kapitali i tyre mund të shkoj në ndonjë vend tjetër.

Në këtë kuadër nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkojnë nga qeveria që të bëjë gjithçka për të siguruar mbarëvajtje të proceseve pasi vetëm me një stabilitet institucional mund të ketë perspektivë dhe zhvillim ekonomik të vendit.

“Të gjitha këto procese pavarësisht periudhës kohore kur ndodhin në mënyrë të drejtpërdrejt reflektojnë në ekonomi dhe ne kërkojmë që shteti të luaj rolin e vet, respektivisht sistemi juridik të funksionoj në nivel të detyrës, të bëj zgjidhjen e shpejt të proceseve të ndryshme, që këto të mos kenë implikime direkte në sferën ekonomike“, thotë Arben Halili.

Ekspertët thonë se pasoja do të ketë dhe se tani është vështirë që tani të jepen parashikime, por në fund të vitit do të kihet një pasqyrë të qartë se sa pasiguria, incidentet ndëretnike dhe kriza politike kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të vend.

XS
SM
MD
LG