Ndërlidhjet

LDK, AAK dhe Nisma në dilema për rinegociata me Vetëvendosjen


Bisedimet për koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje, kanë hyrë në një fazë kritike.

Pas takimeve të djeshme në nivel të liderëve dhe më pas edhe në nivele të grupeve punuese, nuk është arritur të hartohet një draft final i marrëveshjes për koalicionin dhe parimet programore.

I kandiduari për postin e kryeministrit nga blloku LDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se Vetëvendosje e ka kthyer procesin e negociatave për koalicion në pikën zero. Sipas tij, marrëveshja ka mundur të finalizohet qysh të hënën me parimet bazë, në mënyrë që aspektet e tjera të diskutoheshin më vonë.

“Unë kam qenë me shpresë që të hënën do të mbyllim punë, për shkak se dokumenti paraprak ka qenë një materie e qëndrueshme. Por, Vetëvendosje ka prezantuar aty një aneks-dokument, i cili ka sjellë tema apo na ka kthyer prapë në punë nga fillimi. Jemi në shqyrtim e sipër. Unë nuk e përfaqësoj vetëm veten. Përfaqësoj tri subjekte politike. Do të konsultohemi për të parë se si do të veprojmë më tutje”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë pas një takimi që ai dhe liderët nga LDK-ja dhe partia Nisma, Isa Mustafa e Fatmir Limaj, zhvilluan me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe në përbërjen e re të Kuvendit.

Aty është diskutuar çështja e përkrahjes së komuniteteve pakicë për kandidatin e koalicionit, Isa Mustafa, për postin e kryetarit të Kuvendit më 17 korrik.

Por, përveç pakicave, koalicioni i tri partive opozitare po kërkon me ngulm përkrahjen e Vetëvendosjes, në mënyrë që të arrihen numrat e nevojshëm në Kuvend për krijimin e qeverisë së ardhshme.

Nëse nuk arrihet kjo marrëveshje, treshja LDK, AAK dhe Nisma, do të mund të dështojë qysh në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka bërë me dije këtij blloku të tri partive se pa një marrëveshje të shkruar nuk do të votohet as për kryetarin e kuvendit.

“Përderisa e kemi këtë situatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta votojë dhe nuk do ta votojë propozimin, procesverbalin në Kuvendin e Republikës, në seancën konstituive të së enjtes, përkitazi me kryeparlamentarin”, ka deklaruar Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje insiston që të ketë një marrëveshje të nënshkruar nga katër liderët në mënyrë që të arrihet përfundimisht ky koalicion. Mes tjerash, ky subjekt politik kërkon një ripozicionim të qeverisë së ardhshme të Kosovës karshi dialogut me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Duke i komentuar kërkesat e Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj ka thënë se në këto pika duhet pasur kujdes, pasi që qeveria e ardhshme nuk duhet të dërgojë mesazhe të gabuara politike te faktori ndërkombëtar, ngaqë kjo do të mund të çonte vendin në vetizolim.

“Unë e kam shprehur mendimin tim kohë më herët për dialogun. Ju e dini se jam shprehur kohë më herët se duhet të ndryshohet, që duhet të jetë kualitativ dhe që Kosova duhet të ketë objektiva të rinj në dialog".

"I kam vërejtjet e mia edhe në shumë procese të brendshme në Kosovë e që nuk dallojnë në substancë. Por, ajo që unë nuk guxoj ta bëj si kryetar qeverie, duke e ditur që duhet filluar investimet, duke e ditur që duhet të kemi liberalizim të vizave, asociim-stabilizim të dërgojmë mesazhe të vetizolimit ose të pauzimit të Kosovës - këtë nuk guxoj ta bëj”, ka deklaruar Haradinaj.

Sidoqoftë, të gjitha palët kanë pranuar se mund t’i vazhdojnë negociatat në përpjekje të arritjes së marrëveshjes para seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës që mbahet të enjten, më 17 korrik.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë që vizituan Kosovën ditëve të fundit u kanë bërë me dije liderëve në Prishtinë se qeveria e re, përveçse duhet të jetë përfaqësuese e shumicës dhe të formohet konform ligjeve dhe Kushtetutës, do të duhet të jetë e gatshme t'i vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe t’i implementojë obligimet e ndërkombëtare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG