Ndërlidhjet

Fantazma e Millosheviqit

  • Brian Whitmore

 Vladimir Putin

Vladimir Putin

Ekziston një fantazmë që e ndjek Vladimir Putinin – ajo e Sllobodan Millosheviqit.

Derisa kriza në Ukrainë po zhvillohet, është bërë pothuajse modë – e madje edhe një lloj i fetishit – për ta krahasuar liderin e Kremlinit në Rusi, me diktatorin e ndjerë të Serbisë.

Duke shkruar në “The New Republic”, Vera Mironova dhe Maria Snegovaya, theksojnë se si Millosheviqi ashtu edhe Putini, “e kanë nxitur nacionalizmin intensiv... kundër kroatëve dhe ukrainasve, nëpërmjet propagandës në mediat masive” dhe si ata të dy “e kanë forcuar kryengritjen e minoriteteve etnike”.

Po ashtu, të dy këta liderë, e kanë shfrytëzuar pretekstin e mbrojtjes së minoriteteve për “angazhim ushtarak” dhe për “krijimin e republikave të vetëshpallura dhe gjysmë të pavarura si në Kroaci, ashtu edhe në Ukrainë”, që ishin faktikisht nën kontrollin e respektivisht, Beogradit dhe Moskës.

“Por, kjo ngjashmëri ndërmjet rasteve të Putinit dhe Millosheviqit është më tepër se sa ngjashmëri në taktikë – ajo e përqafon mitin fundamental dhe përleshjet historike ndërmjet serbëve dhe kroatëve, në njërën anë, dhe rusëve e ukrainasve”, në anën tjetër, shkruajnë këto autore.

Nuk janë vetëm kritikët e Putinit ata që paraqesin krahasime me Millosheviqin. Të tillë janë edhe aleatët e deridjeshëm, si një masë e vërejtjes paralajmëruese.

I zemëruar për shkak të vendimit të qartë të Rusisë, që të mos e përdorë hapur forcën ushtarake në pjesën lindore të Ukrainës, për t’i mbështetur militantët prorusë, lideri separatist, Igor Girkin, po ashtu i njohur edhe si Strelkov, i ka tërhequr vërejtjen Putinit kundër “një hapi të pakthyeshëm prapa në rrugën e Millosheviqit”.

Më tutje, duke shkruar në faqen e tij VKontakte, Girkin ka shpjeguar se braktisja nga ana e Putinit ndaj grupeve të armatosura, që synojnë formimin e “Rusisë së Re” në Ukrainë, i përngjante “sakrifikimit” të Millosheviqit të grupeve paramilitare, që luftonin për “Serbinë e Madhe” në Bosnjë Hercegovinë dhe Kroaci, në vitet '90.

Girkin, po ashtu, ka shkruar se Millosheviq “më vonë u shkatërrua në Kosovë dhe përfundimisht arriti në Hagë në mënyrë natyrore dhe të dukshme”.

Nënteksti, kuptohet, ishte që nëse nacionalistët kthehen kundër Putinit, për shkak të “tradhtisë” së tij në Donbas, ai do të jetë në mënyrë të rrezikshme i ndjeshëm në Rusi.

Po ashtu, nacionalisti Mikhail Kalashnikov, kishte shkruar se “Kremlini e ka humbur kontrollin ndaj procesit” në pjesën lindore të Ukrainës dhe si pasojë e kësaj, “kryengritja në Donbas mund të shndërrohet në një kryengritje në Rusi”.

Ky element potencial për kthesë të ashpër kundër Kremlinit nga nacionalistët e braktisur, po ashtu, është kapur nga mediat kryesore ruse.

Autoritetet ruse janë mësuar se si t’i shtypin protestat liberale, por ato janë më të këqija në ballafaqimin me nacionalistët dhe protestuesit e krahut të majtë, kur ata konfrontohen nga populli i pashpresë por i vendosur, që është i përgatitur për konfrontim të fuqishëm me armë”, ka shkruar e përditshmja "Nezavisnaya Gazeta”, në një editorial më 11 korrik.

Pra, sa e rëndësishme është përvoja e Millosheviqit për fatin e Putinit?

Para se gjithash, linja ndërmjet braktisjes së Millosheviqit ndaj projektit të “Serbisë së Madhe” dhe rënia e tij nga pushteti, nuk ishin të lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Pothuajse, katër vite kishin kaluar nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën përfunduan armiqësitë në Bosnjë, në dhjetor të vitit 1995, dhe rënies së Millosheviqit në tetor të vitit 1999, që është një periudhë në të cilën ai duket se pësoi për shkak të humbjes së mbështetjes nacionaliste, një serie të protestave të zëshme në rrugët e Beogradit, luftës tjetër në Kosovë, dhe fushatës së bombardimeve të NATO-s”.

Pastaj, kur Millosheviqi, përfundimisht, kishte rënë, kjo nuk ishte e paracaktuar.

Liberalët properëndimorë dhe aktivistët studentorë ishin pjesëmarrësit më të dukshëm në demonstratat masive, pas zgjedhjeve presidenciale me të meta, në vitin 1999, dhe këto demonstrata sigurisht se kishin luajtur rol në rënien e njeriut të fuqishëm të Serbisë.

Por, goditja vdekjeprurëse ishte përgatitur prapa skenës dhe larg nga masat, në ulëset e prapme të automobilit Mercedes SUV, që lëvizte rrugëve të Beogradit.

Atëherë, sipas raporteve të mediave, personi Millorad Llukoviq, njëri nga mbështetësit më brutalë të Millosheviqit, arriti marrëveshje me liderin opozitar, Zoran Gjingjiq, i shkolluar në Gjermani dhe i dashur i liberalëve, i cili më vonë u bë kryeministër, deri në vrasjen e tij në vitin 2003.

Millosheviq kishte urdhëruar njësinë policore paramilitare, Beretat e Kuqe, që komandohej nga Llukoviqi, për të hapur zjarr në demonstruesit, që i kishin mbushur sheshet dhe rrugët e Beogradit.

Raportohej se Gjingjiq e kishte bindur atë të mos e bëjë këtë, duke argumentuar se koha e Millosheviqit kishte kaluar.

Pra, në fund, ishte një kombinim i kryengritjes liberale, deziluzionit nacionalist dhe jolojalitetit të shërbimit të sigurimit, që e përfundoi epokën e Millosheviqit.

Putini mund të shkojë drejt kësaj rruge dikur në të ardhmen. Por, nuk është aq lehtë të imagjinohet se sa do të mbetet në pushtet. Shtrohet pyetja se a do të mbeten lojale elita politike dhe shërbimet sigurisë. Dhe, nëse ai është i gatshëm të derdhet gjaku.

Autorët e raportit argumentojnë se “niveli i represionit politik vetëm do të rritet”, do të bëhet më intensiv dhe pjesë e “kulturës politike” të regjimit të Putinit.

Skenari i vërtetë millosheviqian për Putinin, në fakt, mund të shndërrohet në atë ku ai do ta mbante pushtetin dhe do të jetë edhe më tepër brutal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG