Ndërlidhjet

NATO, raporte të mira me FSK-në


Gjenerali Bradshaw është pritur me nderime nga Garda Ceremoniale e FSK-së, që për herë të parë është paraqitur me uniformën e re me elemente tradicionale.

Gjenerali Bradshaw është pritur me nderime nga Garda Ceremoniale e FSK-së, që për herë të parë është paraqitur me uniformën e re me elemente tradicionale.

NATO është pjesë e të gjitha sukseseve, të cilat i ka arritur Forca e Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar ministri në largim i FSK-së, Agim Çeku, pas një takimi që ka pasur me zëvendëskomandantin suprem të Aleancës së NATO-s për Evropë, gjeneral Sir Adrian Bradshaw.

Ministri në largim, Çeku, ka theksuar se me gjithë ndihmën e deritashme që NATO i ka dhënë FSK-së, kjo e fundit sipas tij, ka ende nevojë për përkrahje.

“Ne, si Kosovë, e sidomos si FSK, kemi nevojë që të punojmë bashkë me NATO-n, që të mësojmë nga NATO, që të evoluojmë bashkë me NATO-n, që të reformohemi bashkë me NATO-n, andaj na nevojitet mbështetja e tyre, asistenca e tyre dhe këshillimi i tyre. Në të gjitha kërkesa tona morëm përgjigje pozitive nga gjenerali Bradshaw”, ka deklaruar Çeku.

Zëvendëskomandantit suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, gjeneral Sir Adrian Bradshaw, në një konferencë për media në Ministrinë e FSK-së, ka thënë se NATO e çmon aspiratën e Kosovës për anëtarësim në aleancë, dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në misione paqësore.

“Dua të veçoj bashkëpunimin e fortë që kemi pasur që nga fillimi me ju dhe organizatën tuaj. Raportet e NATO-s me trupën tuaj janë të forta dhe kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe ne urojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë”, ka thënë Bradshaw.

Ai ka shtuar se kanë parë nga afër të arritur dhe ndërtimin e kapaciteteve FSK-së dhe se beson edhe më tutje që FSK-ja do të ecë përpara.

Ndërkaq, Çeku ka theksuar se falë ndihmës së NATO-s dhe angazhimit të vetë kësaj trupe, FSK-ja është bërë një faktor i rëndësishëm jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Sot FSK-ja, falë kësaj mbështetjeje, falë punë së vet, është bërë faktor i rëndësishëm, forcë për të mirë në rajon dhe në vendin tonë. Është bërë partner i besueshëm i NATO-s dhe ka ndërtuar marrëdhënie jashtëzakonisht të afërta të mira dhe produktive me NATO-n”, ka theksuar Çeku, duke njoftuar gazetarët që zëvendëskomandanti suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, ka dhënë garanci në bashkëpunimin e mëtejmë me FSK-në.

Siç është bërë e ditur në konferencën për media, në takim është biseduar për hapat në vazhdim, që ka Forca e Sigurisë së Kosovës, sidomos në fushën e ndërtimeve të kapaciteteve ushtarake të mbrojtjes në të ardhmen e afërt.

Me rastin e kësaj vizite, gjenerali Bradshaw është pritur me nderime nga Garda Ceremoniale e FSK-së, ku për herë të parë Garda është paraqitur me uniformën e re me elemente tradicionale.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG