Qeveria e Ukrainës ka thënë se Rusia ka rol në një sulm ajror në lindje të Ukrainës, i cili ka vrarë së paku njëmbëdhjetë persona dhe ka plagosur disa të tjerë.
Separatistët pro-rusë kanë fajësuar Kievin për bombardimet e sotme, që kanë shkatërruar një ndërtesë me aparatmente në qytetin Snizhne.
Por, ushtria e Ukrainës ka thënë se avionët e saj nuk kanë fluturuar qysh dje, kur edhe është rrëzuar një aeroplan i saj.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë prova se raketa që ka hedhur poshtë An-26-shin, ka ardhur nga territori rus.
Pretendimi i Kievit për përfshirje më të thellë të Rusisë në konflikt vjen një ditë para se liderët e BE-së të takohen për të diskutuar miratimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë.
Ushtria e Ukrainës ka thënë se 258 ushtarë janë vrarë, mbi 900 janë plagosur dhe 45 të tjerë janë rrëmbyer gjatë fushatës ushtarake në lindje, që ka nisur tre muaj më parë.