Ndërlidhjet

BE: Mogherini dhe Georgieva, kandidate për ta zëvendësuar Ashtonin


Ilustrim
Ilustrim

Në Bruksel, në mbrëmjen e së mërkurës, nis samiti i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian, ku liderët e 28 vendeve anëtare do të orvaten të bien dakord për të emëruar dy postet kryesore të BE-së, përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, dhe presidentin e Këshillit Evropian.

Siç dihet me Traktatin e Lisbonës është vendosur që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të jetë njëherësh edhe nënkryetar i Komisionit Evropian, prandaj liderët duhet ta bëjnë këtë emërim sa më parë, në mënyrë që ky person të ndjekë procesin edhe dëgjimor në Parlamentin Evropian, ku duhet të marrë pëlqimin së bashku me tërë ekipin e Komisionit të ardhshëm Evropian.

Fjala është për dy postet kyçe, të cilat do të kenë një mandat 5-vjeçar. Presidenti i tashëm i Këshillit Evropian, Herman von Rompoy, mbaron mandatin në nëntor, njësoj edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Liderët e BE-së pritet të vazhdojnë takimin e tyre deri vonë gjatë natës, pasi që nuk ka ende pajtim të plotë rreth kandidatëve, emrat e të cilëve janë përmendur deri më tash.

Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, është kandidatja kryesore dhe favorite për të zëvendësuar baroneshën Ashton në postin e përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Mirëpo, disa shtete lindore të BE-së kanë shfaqur disa rezerva rreth kandidaturës së saj duke thënë së Italia gjatë kohës sa ajo është ministre e Jashtme ka pasur një qëndrim tepër të butë ndaj Rusisë.

Përmendet edhe emri i komisionares nga bullgaria Kristalina Georgieva, si kompromis, mirëpo ende shtetet perëndimore të BE-së mendojnë se këtë post duhet ta marrë ministrja e Jashtme e Italisë.

Kësaj radhe vendimi merret me shumicë të kualifikuar dhe asnjë vend anëtar nuk mund ta bllokojë qëndrimin e vendeve shumicë.

Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor do të jetë mjaft me rëndësi se kush do të ketë postin e përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, pasi që baronesha Ashton është marrë shumë me rajonin në mandatin e saj të deritashëm.

Ashton, në emër të BE-së, edhe ka ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Ardhshëm i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, ka marrë mbrëmë pëlqimin e Parlamentit Evropian me një shumicë të madhe votash. Ai ka thënë se prioritet në punën 5-vjeçare të tij do të jenë forcimi i ekonomisë evropiane, krijimi i vendeve të reja të punës, ndërtimi i një Evrope sociale, mirëpo ka theksuar se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian.

Junker ka shtuar se tash është koha për një pushim nga zgjerimi, në mënyrë që të konsolidohen 28 vendet anëtare të BE-së dhe të absorbohet zgjerimi me 13 vende anëtare që ka ndodhur në të kaluarën.

Ai ka thënë se do të vazhdojë negociatat me vendet kandidate dhe do të vazhdojë t'u ofrohet një perspektivë evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor, mirëpo, sipas tij, nuk do të hyjë asnjë vend i ri anëtar në mandatin e ardhshëm.

Kjo tregon që për Komisionin e ardhshëm Evropian, zgjerimi, edhe pse do të vazhdojë, nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore.

XS
SM
MD
LG