Ndërlidhjet

logo-print

Aplikacionet e smartphone-ve dëmtojnë të hyrat e operatorëve mobil


Ilustrim

Ilustrim

Aplikacionet për smartphone (që në një përkthim të fjalëpërfjalshëm do të quheshin “telefona të mençur”), si dhe ato që përdoren në sisteme tjera kompjuterike, duke shfrytëzuar internetin, ofrojnë shërbime, të cilat u mundësojnë qytetarëve komunikim global, kështu që ngjashëm si edhe në vendet tjera, edhe në Kosovë ato gjejnë një përdorim të gjerë.

Kompanitë e telekomunikacionit në Kosovë vlerësojnë se kjo mënyrë e komunikimit, ka shkaktuar rënie te të hyrat nga telefonia fikse dhe mobile.

Viber, WhatsApp, Skype, Tango janë aplikacionet, të cilat përdoren më së shumti nga qytetarët e Kosovës.

Flutura, një qytetare nga Prishtina është përdoruese e Viber-it. Ajo tregon se tani e sa kohë përmes këtij aplikacioni, komunikon me shoqërinë apo familjen e saj.

Viber-in e përdori si platformë sociale ku në mënyrë shumë të lehtë komunikoj me shokët dhe shoqet e mia. Me Viber, shumë lehtë mund të shkruash, të dërgosh foto apo edhe video. Një prej gjërave që unë i përdor më së shumti është kur i ftoj njerëzit për takime, në vend që të dërgoj shumë mesazhe në telefon apo email, ashtu si në të kaluarën, e dërgoj një ftesë me Viber dhe shumë lehtë e organizojmë ndejën”, tregon Flutura.

Ndërsa, Anduena Zajmi tregon se përdorimi i aplikacioneve të smartphone-ve i kanë mundësuar asaj të kursejë para.

Përdor më së shumti Viber, komunikoj më të gjithë përmes kësaj mënyre, e cila më ka ndihmuar shumë që të kursej para në telefon, rrallë herë blej mbushje të telefonisë, çdo komunikim e bëj përmes Viber-it”, thotë Anduena.

Njëri nga operatorët mobil në Kosovë është kompania e telekomunikacionit "IPKO", e cila mbulon 35 për qind të tregut të telefonisë mobile në Kosovë.

Sa i përket aplikacioneve të smartphone-ve dhe shërbimet e reja në internet, Alban Kastrati, zëdhënës i kompanisë të telekomunikimit “IPKO”, tregon për Radion Evropa e Lirë se nga kjo mënyrë e komunikimit është ndikuar edhe telefonia "IPKO".

“Pa dyshim që jemi ndikuar, por se kemi gjetur mënyra tjera për t’i ruajtur të hyrat e kompanisë për të qenë të qëndrueshëm në zhvillimin e biznesit dhe sado që ndikohemi, kemi arritur të jemi të qëndrueshëm në biznes dhe të funksionojmë normalisht”, thekson Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Për shkak të ndikimit të shërbimeve të reja të telefonisë mobile që mundësojnë komunikim falas apo nën kosto, kompania e telekomunikacionit "IPKO", sipas Kastratit, ka gjetur metoda tjera për t’i shërbyer konsumatorët për të gjeneruar të hyra.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga Postë Telekomi i Kosovës, që është një nga operatorët më të mëdhenj në vend.

Ndërkaq, eksperti i telekomunikacionit Agron Dida e quan përparësi komunikimin përmes aplikacioneve të smartphone-ve.

Ai vlerëson se legjislacioni i Kosovës duhet të aprovojë, adaptojë dhe përcjellë risitë teknologjitë që sjellin përparësi në komunikimin dhe zvogëlimin e kostove.

“Ne duhet të përcjellim teknologjinë, dhe legjislacioni ynë duhet t’u adaptohet trendëve teknologjik. Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të pengojmë përparësitë e teknologjive të caktuara përmes internetit dhe nuk duhet të brengosemi për të ardhurat e operatorëve të ndryshëm”, konsideron Dida.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG