Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Pa vullnet politik, nuk integrohet vendi


Pa vullnet të mirëfilltë politik dhe, rrjedhimisht, pa kompromis, nuk mund të ketë zhbllokim të procesit euro-integrues të Maqedonisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, duke komentuar lëvizjet e fundit diplomatike për nxitjen e arritjes së ndonjë zgjidhjeje të mundshme me Greqinë për çështjen e emrit.

Në fakt, vizita e fundit e diplomates së lartë amerikane, Victoria Nuland, dhe mesazhet për qasje serioze ndaj kontestit për emrin, si dhe deklarata e një dite më parë e kancelares gjermane, Angela Merkel se kompromisi mund të arrihet nëse të dyja palët pranojnë të humbin nga diçka, komentohet në mënyra të ndryshme.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve ndërkombëtare thotë për Radion Evropa e Lirë se një gatishmëri për kompromis nuk duket as për së afërmi para së gjithash nga institucionet e Maqedonisë.

“Mendoj se faktori ndërkombëtar, ai evropian dhe amerikan nuk janë në ofensivë, por dëshirojnë që Maqedoninë ta zgjojnë nga gjumi. Por, megjithatë mendoj se në situatën, në të cilën gjendet vendi, në një lloj autokracie, e cila po zhvillohet çdo ditë edhe në raport me qytetarët, edhe në raport me dialogun, por edhe me gjithçka tjetër, e madje edhe me ajrin, mendoj se do të jetë shumë vështirë të arrihet diçka".

"Kjo pasi që qeveria nuk ka dëshmuar se mund të ulet dhe të dialogojë, meqë dialogun e përdor vetëm për interesat e veta. Prandaj, nuk mendoj se mund të ketë ndonjë perspektivë për euro-integrimet", thotë Sinani, ligjërues në Universitetin e Tetovës.

Por, angazhimet e fundit të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së emrit, shihen pozitivisht nga ish-diplomati Dimitar Mirçev.

Ai thotë se angazhimi i kancelares gjermane, Merkel, mund të ndihmojë procesin që udhëhiqet nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

“Deklarata e kancelares Merkel është shumë e favorshme, sikur edhe ajo e ndihmëssekretares amerikane të Shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Victoria Nuland".

"Ato me prononcimet e tyre sikur kanë krijuar një shpresë se mund të ketë ndonjë përafrim të qëndrimeve ndërmejt palëve për kontestin, por kjo mund të shërbejë si nxitje edhe për ndërmjetësin e OKB-së, Nimic, që të paraqesë ndonjë propozim që do të ishte bazë e mirë për zgjidhjen e mëtejmë të çështjes së emrit. Pra, nëse Gjermania inkuadrohet seriozisht në këtë proces me propozime, me dhënie të garancive, mund të ndihmojë shumë procesin që po udhëhiqet me ndërmjetësim të OKB-së“, thotë Mirçev, profesor universitar.

Edhe një vit më parë Merkel kishte ftuar në një takim, ndërmjetësin e OKB-së Methju Nimic, për t'u njohur me rrjedhën e bisedimeve duke mos kursyer as ndihmën e saj në këtë proces.

Megjithatë, deklarata e fundit e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk lë shumë hapësirë për optimizëm. Ai sërish fajtor për mosarritjen e kompromisit, ka bërë Greqinë, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se qeveria që ai drejton dhe partia e tij, VMRO-DPMNE, nuk do të pranojnë asnjë ide që konteston identitetin, gjuhën dhe kombin maqedonas.

Në zgjidhjen e kontestit intensivisht është përfshirë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti. Kjo parti përmes kontakteve të vazhdueshme synon zhbllokimin e procesin integrues më anëtarësimin fillimisht të vendit në NATO, por në të njëjtën kohë ka paralajmëruar zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë në rast të dështimit të këtij procesi.

XS
SM
MD
LG