Ndërlidhjet

Qeveria e re nuk formohet pa sqarimet e Kushtetueses


Ilustrim

Ilustrim

Konstituimi i Kuvendit të ri dhe zgjedhja e kryetarit nuk do të përshpejtojë tash për tash çështjen e formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Kjo për faktin se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese rreth kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas të gjitha gjasave, do të jetë i domosdoshëm.

Andaj, përderisa të mos ketë një interpretim kushtetues rreth seancës së 17 korrikut dhe vendimeve që u morën në të, nuk pritet që presidentja Atifete Jahjaga të emërojë mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se presidentja Jahjaga përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër, por gjithsesi, ka shtuar Vllahiu, se do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit.

Përderisa ana ligjore e formimit të qeverisë nuk do të mund të fillojë, mbetet që partitë politike t’i vazhdojnë negociatat e tyre për krijimin e koalicioneve.

Ndonëse mandatari i parë që do të marrë bekimin e presidentes, pritet të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, ky subjekt politik nuk po arrin të gjejë parti tjera partnere për të lidhur koalicion.

Kështu që, pritjet janë që një mandat për formimin e qeverisë të fitojë edhe kandidati i partitë e bllokut LDK, AAK dhe Nisma.

Në mungesë të një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje, blloku LDK, AAK dhe Nisma ka edhe një rast tjetër që të shpresoj në votat e minoriteteve, të cilat e ndihmuan këtë koalicion në zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.

Kandidati i treshes LDK, AAK dhe Nisma për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka pranuar se me Vetëvendosjen ka një hendek që mund të jetë i pakapërcyeshëm për arritjen e marrëveshjes.

“Unë e kam parë që i kemi disa dallime ndoshta të pakapërcyeshme. Ideja ime ka qenë që ta bëjmë një dakordim në parime të përgjithshme dhe t’i lihet e drejta Vetëvendosjes që të ketë mendim të ndarë në disa tema. Përndryshe është e pamundshme ta gjejmë një dakordim të ndërsjellë”, ka thënë Haradinaj.

Koalicioni i tri partive, LDK, AAK dhe Nisma në njërën anë dhe Vetëvendosje gjatë ditëve të fundit në disa rast janë përafruar në qëndrime sa që zyrtarët e tyre madje edhe paralajmëronin arritjen e marrëveshjes.

Kështu kishte ndodhur edhe para seancës konstituive të Kuvendit. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka treguar se ky subjekt politik nuk i jep votën treshes LDK, AAK dhe Nisma as për krijimin e qeverisë pa një marrëveshje të shkruar. Ai ka pranuar se marrëveshja ishte shumë afër, por se në fund ajo kishte dështuar.

“Me bllokun trepalësh, LDK, AAK dhe Nisma patëm ardhur deri te një draft marrëveshje, e cila kishte mbetur të nënshkruhej të orët e hershme ët 17 korrikut. Por, kur u takuan liderët në mëngjes ata, përfaqësuesit e bllokut trepalësh kishin ndryshuar mendjen”, ka rrëfyer Konjufca.

Sidoqoftë, mbetet të pritet se cili do të jetë interpretimi në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit para se të kalohet në fazën e formimit të qeverisë, si faza e fundit e formimit të institucioneve të reja që dalin si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG