Ndërlidhjet

Parregullsitë, hije e keqe për Kuvendin e ri


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, ka nisur të premten me punën e tij të re.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, një ditë më parë u zgjodh kryetar i Kuvendit, në seancën konstituive, në të cilën, sipas vëzhguesve të punës e Kuvendit, ka pasur shkelje të Rregullores së Punës.

Megjithatë, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi tash ka një udhëheqje të re, pavarësisht parregullsive që e kanë përcjellë seancën konstituive.

“Absolutisht po, unë mendoj që tani organet janë të zgjedhura, pa çka se nuk është kompletuar kryesia e Kuvendit, sepse një anëtar nga PDK-ja po ashtu edhe nga koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe nga Lista Serbe, nuk janë propozuar dje dhe si e tillë Kryesia e Kuvendit nuk konsiderohet si e kompletuar. Por, mendon që ata, të cilët të enjten morën votat, disa nga ta me 2/3 votave, mendoj se sot është dita e parë e punës se tyre në Kuvendin e Kosovës”, thotë Selmanaj.

Kurse, analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se partitë politike, në veçanti ato të grupeve më të mëdha, më shumë kanë bërë përpjekje për ta penguar tjetrin që të udhëheqë me institucione, se sa që kanë reflektuar qasje për të udhëhequr vetë.

“Dje ka kulmuar me atë se si të pengohet njëra palë apo tjetra, të marrë udhëheqjen e institucioneve. Të dy kampet kanë rrezikuar shumë dhe nuk e di pse nuk janë ulur të bisedojnë për procedurat apo të pajtohen për procedurën e konstituimit dhe përzgjedhjen e përfaqësuesve të institucioneve”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Rashiti kritikon edhe bllokun opozitar se nuk ka vepruar në mënyrë ligjore, derisa në një farë forme, siç thotë ai, i ka pasur të sigurta votat.

Për më tepër, Rashiti thotë se zhvillimet, të cilat ndodhën në seancën e 17 korrikut, në Kuvend do të mbesin si një plagë në jetën politike.

“Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetues duhet të funksionojë Kuvendi, por nuk e besoj se do të funksionojë. Nuk e besoj se polarizimet janë ekstreme dhe PDK-ja nuk e besoj se do të kthehet në Parlament deri në vendimin e Gjykatës Kushtetues. Besoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta vonojë shumë shenjën e vendimit – opinionit të vet”, konsideron Rashiti

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur të dhunshme zhvillimet e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Në rrjetin social Facebook Thaçi ka shkruar se “PDK-ja, duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe jovalide vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive, shpreh qëndrimin e saj se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme”.

Thaçi ka konfirmuar se partia e tij pret që Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin në lidhje me, siç i ka quajtur ai, “ zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG