Ndërlidhjet

Për 6 muaj, 800 raste të kontrabandës


Dogana e Kosovës
Dogana e Kosovës

Autoritetet doganore të Kosovës brenda gjashtë muajve kanë evidentuar afër 800 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme. Vlera e mallit që është tentuar të hyjë si kontrabandë, përmes pikave kufitare dhe në kufirin e ashtuquajtur Vija e gjelbër, sipas përfaqësuesve të Doganave të Kosovës arrin në mbi një milion euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se niveli i kontrabandës krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka shënuar rënie dhe, rrjedhimisht, kjo ka bërë që të hyrat doganore të rriten.

Sipas tij, në periudhën janar - korrik të këtij vitit, Dogana ka grumbulluar 430 milionë euro.

“Rikthimi në funksion i dy pikave veriore ka ndikuar që të mos kemi kontrabandë në një shkallë të lartë. Por, gjithsesi asnjë doganë në botë nuk mund të thotë se mund ta ndalë kontrabandën qind për qind”, thotë Stavileci.

Një studim për shkallën e ekonomisë joformale, që përfshinte kompanitë vendore, i bërë më herët, kishte nxjerrë në përfundim se ekonomia joligjore në Kosovë merr 34.4 për qind të bruto-produktit vendor.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Sipas Stavilecit, kryesisht në kontrabandën e mallrave, dominojnë mallrat që janë me akcizë.

“Vija shumë e gjatë kufitare me Serbinë, po ashtu, paraqet një rrezik potencial - kemi pasur aty shumë raste që janë zënë, si nga Dogana ashtu edhe nga ana e Policisë kufitare. Këto raste të kontrabandës, na kanë dhënë indikacione se ka rrezik të kufirit ilegal me mallra të kontrabanduara”, tregon Stavileci.

Qeveria e Kosovës për vite të tëra kishte vendosur në prioritetet e politikave të saj parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale, ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014.

Megjithatë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë, tregojnë se kontrabanda dhe ekonomia joformale janë mjaft të shprehura dhe si të tilla po krijojnë konkurrencë të padrejtë në treg.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se bizneset në bazë të një ankete të bërë, janë shprehur të pakënaqura me punën e institucioneve të Kosovës sa i përket luftimit të ekonomisë joformale.

Një anketë që është bërë me 652 biznese në shtatë rajone më të mëdha të Kosovës, ka rezultuar se 34 për qind e bizneseve mendojnë se Administrata Tatimore e Kosovës nuk bën aq shumë për të luftuar ekonominë joformale, e derisa vetëm 51 për qind janë të bindura që merr masa të mjaftueshme për ta luftuar joformalitetin”, bën të ditur Zeka, duke shtuar se këto shqetësime të bizneseve duhet përfundimisht të merren seriozisht nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Sipas Zekës, njëra prej formave për eliminimin e ekonomisë joformale është fiskalizimi. Ka shumë biznese, thotë Zeka, që ende nuk janë pajisur me arka fiskale, derisa ka edhe plot tjera që kanë arka fiskale, por që në shumë raste nuk i fusin në funksion.

“Forcimi i mëtejmë i luftës kundër korrupsionit brenda institucioneve të Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, natyrisht do të ndihmonte edhe në eliminimin e ekonomisë joformale. Ekziston ndoshta një përqindje më e madhe e atyre bizneseve që mendojnë se të dyja institucionet kanë ndërmarrë masa me serioze për luftimin e korrupsionit”, thekson Zeka.

XS
SM
MD
LG