Ndërlidhjet

Obama: Sulmi ndaj aeroplanit vinte nga zona separatiste

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se provat tregojnë se aeroplani i Malajzisë është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, e cila është lëshuar nga një zonë që kontrollohet nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Duke folur në Uashington, ai po ashtu ka thënë se separatistët kanë marrë vazhdimisht armë nga Rusia, përfshirë edhe armë anti-ajrore.

Obama ka thënë se Ukraina, Rusia dhe separatistët pro-rusë duhet të dakordohen për një armëpushim të menjëhershëm dhe të mos ndërhyjnë në hetimet ndërkombëtare të rrëzimit të aeroplanit.

Presidenti amerikan ka thënë se “sytë e botës janë në lindje të Ukrainës”.

“Do të sigurojmë që e vërteta të dalë në shesh”, ka thënë Obama.

Kjo ka qenë një tragjedi globale. Një aeroplan aziatik është shkatërruar në qiejt e Evropës, i mbushur me shtetas të vendeve të ndryshme. Andaj, duhet të ketë hetim të besueshëm ndërkombëtar të asaj që ka ndodhur”, ka shtuar Obama.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, ka kontroll të madh mbi situatën e dhunshme në Ukrainë dhe duhet të veprojë për të frenuar separatistët, “të cilët janë të armatosur rëndë dhe të trajnuar për shkak të mbështetjes ruse”.

Obama ka thënë se Rusia ka refuzuar të ndërmarrë hapat e nevojshëm për shtensionimin e krizës në Ukrainë dhe ka vazhduar të shkelë sovarinitetin e Ukrainës dhe të mbështesë separatistët e dhunshëm.

Obama ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet për të shtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe janë të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë nëse është e nevojshme.

Të premten, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për hetime të plota dhe të pavarura ndërkombëtare të rrëzimit të aeroplanit malajzian, me 298 njerëz në bord.

Këshilli po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’iu sigurojnë hetuesve qasje në lokacionin ku ka rënë aeroplani.

E dërguara e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, ka thënë se raketa që ka goditur aeroplanin duket se është hedhur nga një zonë që kontrollohet nga separatistët në lindje të Ukrainës.

Power po ashtu ka thënë se SHBA-ja nuk e hedh poshtë mundësinë që personeli rus të ketë ndihmuar në rrëzimin e aeroplanit.

OSBE-ja, në anën tjetër, ka bërë të ditur se rreth 30 vëzhgues dhe ekspertë kanë arritur me helikopterë në vendin e incidentit, pasi separatistët kanë thënë se do të lejojnë qasjen e hetuesve ndërkombëtarë në zonë.

Separatistët, më herët, kanë thënë se dy kuti të zeza me të dhëna nga fluturimi janë gjetur, por më vonë i kanë mohuar këto raporte.

Pasagjerët në fluturimin MH17 kanë përfshirë njerëz nga më shumë se dhjetë vende. Anëtarët e ekuipazhit kanë qenë të gjithë malajzianë.

Dhjetëra ekspertë për AIDS-in kanë qenë po ashtu në mesin e pasagjerëve. Ata kanë qenë duke udhëtuar për në Australi, për një konferencë globale për AIDS-in.(v.tela)

XS
SM
MD
LG