Ndërlidhjet

logo-print

Ahmeti: Në komunën e Prishtinës ndaluam korrupsionin e nepotizmin


Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti

Të gjitha objektet, duke përfshirë edhe ato të cilat kanë leje, por që janë në kundërshtim me të gjitha kushtet urbaniste dhe që janë rrezik për sigurinë e qytetarit nuk do të legalizohen dhe do të rrënohen”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai tregon të arriturat dhe sfidat në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes së tij me kryeqytetin dhe thotë ta ketë luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, tashmë ka gjashtë muaj që jeni në postin e kryetarit të Prishtinës. Me cilat sfida jeni ballafaquar dhe çfarë keni arritur të përmbushni nga programi i prezantuar, me të cilin edhe fituat si kryetar?

SHPEND AHMETI

Prej fillimit kemi nisur në dy drejtime: t’i ndalim gjërat e këqija, dhe të fillojmë t’i bëjmë edhe gjërat e mira. Ju e dini se që në fillim jemi ballafaquar me ndaljen e disa proceseve të këqija, që kanë qenë të domosdoshme, siç janë ndalja e ndërtimeve pa leje, luftimi i korrupsionit, instalimi i sistemit të transparencës radikale në komunën tonë. Mirëpo, në të njëjtën kohë kemi filluar punën edhe në të gjitha zotimet, të cilat i kemi bërë në fushatë, e që janë 12 gjithsej.

Këto ditë do ta publikojmë edhe raportin 6-mujor, ku shihet se sa nga ato premtime i kemi përmbushur dhe se në sa prej tyre kemi filluar punën, duke ditur që disa prej tyre janë afatgjatë. Sfida më e madhe mbetet ende premtimi im kryesor - ai i ujit 24 orë në ditë, për të cilin kemi thënë se e kemi planin dhe programin dhe vazhdojmë me atë plan-program.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju u keni premtuar qytetarëve të Prishtinës ujë 24 orë në ditë. Çfarë keni bërë në këtë drejtim?

SHPEND AHMETI

Po ne kemi bërë atë që kemi thënë. Së pari kemi identifikuar problemet në disa pjesë, duke filluar nga aspekti i sasisë së ujit që kemi, domethënë analiza e burimeve alternative të ujit për komunën e Prishtinës dhe tash jemi në fazën kur po diskutojmë për nivelin e investimeve, të cilat janë të nevojshme dhe për politikat për furnizimin nga prodhuesi e deri te përdoruesi i fundit që është qytetari.

Ende një prej sfidave kryesore që mbetet është të diskutojmë mbi atë se çfarë kompetencash ka komuna në ujësjellës, sepse ne duam më shumë përgjegjësi si komunë. Fundja, ne jemi të obliguar me Ligjin për vetëqeverisje lokale, që të garantojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë.

Kurse, në të njëjtën kohë Ligji për ndërmarrjet publike na jep neve vetëm një prej 7 anëtarëve të bordit, që domethënë se ne jemi 70 për qind të konsumatorëve si Prishtinë në kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, ndërsa kemi gati 15 për qind të vendimmarrjes.

Pra, ne, me qeverinë e re, cilado që të jetë ajo, duam ta diskutojmë edhe këtë, në mënyrë që pastaj t’i ndërmarrim ata hapa - ne e kemi përgatitur edhe planin aksionar, shkyçjet ilegale në komunën tonë, një kontroll më të rreptë për ndërtimet e reja, si dhe humbjet në rrjet që nuk janë vetëm gypat që tashmë po zëvendësohen, por janë edhe humbjet në rrjet që ndodhin në shtëpi individuale, ku rrjedh uji gjatë tërë kohës e që është shpenzim i panevojshëm.

Unë vazhdoj të them që Prishtina prodhon mjaft ujë për qytetarët e vet, megjithatë humbjet na mbesin problemi kryesor, prandaj duhet të shohim mundësitë se si t’i reduktojmë humbjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Transporti vazhdon të ketë linjat e njëjta. Çfarë keni bërë për të pasur një transport më funksional?

SHPEND AHMETI

Ne kemi filluar programin me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e që është projekti më i madh që ka bërë BERZH-i në sektorin publik në Kosovë, në përgjithësi. Tashmë ka përfunduar vlerësimi teknik dhe ambiental, i cili do të na tregojë se çfarë nevoje ka Prishtina në përgjithësi dhe cilët autobusë të rinj do të ishin të përshtatshëm për komunën tonë.

Ndërsa, në shtator fillon ajo që ne e quajmë plani i mobilitetit urban, që do ta definojë saktësisht se ku janë nevojat e qytetarëve, prej nga dalin qytetarët, prej cilës lagje, ku shkojnë, në mënyrë që ridizajnimi i linjave të jetë në përputhje me nevojat e qytetarëve.

Po ashtu, në vjeshtë të këtij viti fillojmë prokurimin e autobusëve të rinj, të cilët do të jenë të standardit më të lartë, do të bëhet me BERZH-in, në një tender ndërkombëtar, me ç’rast do të aplikojnë kompanitë më të njohura, e jo siç kemi pasur rastin në të kaluarën që të jenë ca kombinime që nuk shihen në asnjë shtet tjetër.

Dalëngadalë do t’i reformojmë linjat dhe mendoj se ky projekt që do të zgjasë rreth tre vjet, do ta bëjë Prishtinën me transportin ndoshta më modern publik në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeverisja juaj gjatë kësaj kohe ka pasur në fokus ndërtimet pa leje. Sa, në fakt, keni arritur të vendoseni rend në këtë sektor dhe çfarë do të ndodhë me ndërtimet që janë ndërtuar pa leje?

SHPEND AHMETI

Ndërtimet pa leje i kemi ndalur. Nuk ka sot ndërtim, posaçërisht të lartë që bëhet në Prishtinë e që është pa leje - po them të lartë, sepse mund të ndodhë që ka diku ndonjë ndërtim që nuk e kemi vërejtur ende dhe këtu bazohemi shumë edhe në ndihmën e qytetarëve që të na njoftojnë në mënyrë që inspeksioni menjëherë t’i ndalojë.

Por, i kemi ndalur, madje aq i kemi ndaluar sa që është ankuar edhe sektori i ndërtimtarisë - akuzat e subjekteve tjera politike është që i kemi ndalur shumë. Ose duhet të vendosim rend dhe rregull, ose duhet të lejojmë si në të kaluarën.

Ne kemi vendosur t’i ndalim.

Tash po punojmë në lehtësimin edhe të mëtutjeshëm të procedurave që ata që janë në rregull të vazhdojnë me punë sa më shpejt. Pjesa e dytë ka të bëjë me faktin se çka do të bëjmë tash ne me të gjitha këto ndërtime që i kemi deri tash pa leje.

Ka edhe objekte të tilla që kanë leje - unë nuk jam arkitekt, por e di që nuk duhet të kenë leje - e edhe për ato, ne i kemi dorëzuar në Prokurori të gjitha lëndët. Po në të njëjtën kohë ne fillojmë tash procesin e legalizimit, i cili do të jetë një proces trevjeçar, sipas ligjit në fuqi. Presim udhëzimet administrative të nënshkruara që të fillojmë nga ky muaj vlerësimin – domethënë është proces i caktuar 6 muaj, identifikohen të gjitha ndërtimet pa leje. Prej janarit deri në qershor të vitit të ardhshëm është faza e aplikimit për legalizim për ata që duan ta legalizojnë. Dhe, pastaj hyjmë në fazën që, o i legalizojmë - o do t’i rrënojmë ato që nuk kanë gjasa të legalizohen.

Ideja jonë është që të legalizojmë sa më shumë që është e mundur, që të mos i penalizojmë qytetarët që kanë blerë banesa, por ato të cilat janë në kundërshtim me të gjitha kushtet urbanistike dhe janë rrezik për sigurinë e qytetarëve, kjo është kyçe, si të jetë diçka e rrezikshme ajo nuk do të legalizohet.

Pra, kemi folur edhe me grupe, edhe me Universitetin e Prishtinë dhe me Fakultetin e Arkitekturës, që të shohim se si t’u japim një rregull këtyre ndërtimeve pa leje. Mendoj se tashmë të gjithë e kanë pranuar se në komunën e Prishtinës nuk mund të ndërtosh pa i marrë lejet nga organet komunale. Njëjtë siç kemi filluar tani edhe me kafiteritë që kemi ndryshuar rregulloren dhe e kemi bërë më lirë për të aplikuar, por në një vend në qoftë se thuhet se 2 metra duhet të jenë trotuar, do të jenë 2 metra trotuar, në pjesën tjetër mund të merret leje, por në momentin kur dikush e tejkalon atëherë do t’i konfiskojmë edhe tavolinat. Pushteti është i qytetarëve, komuna është e Prishtinës, është e qytetarëve të Prishtinës, prandaj kemi nevojë që të gjejmë një balancim në mes të banimit, rregullit, rendit dhe argëtimit të qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është numri i lejeve të ndërtimit që ju keni lëshuar gjatë kësaj kohe dhe a janë respektuar të gjitha standardet e nevojshme?

SHPEND AHMETI

Nuk e kam numrin e saktë, mirëpo mendoj se është diku rreth 30, po flasim për ndërtime më të mëdha. Dua ta potencoj një gjë, kemi rënie të sektorit të ndërtimtarisë në Prishtinë në përgjithësi, e që është diskutim që duhet ta bëjmë. Vitin e kaluar janar- mars, kemi pasur 90 aplikacione për leje, sivjet periudha e njëjtë ka 30 aplikime për leje, gati 30 për qind e asaj që është aplikuar vitin e kaluar.

Po ashtu, komuna e Prishtinës për shembull, e mbledh taksën e transaksionit kur dikush blen banesë - edhe kjo ka shënuar rënie, që do të thotë se në përgjithësi kërkesa për të blerë patundshmëri është në rënie. Tash a është kjo për shkak se është ngopur tregu, gjithë diaspora dhe të gjithë njerëzit që kanë pasur mundësi të blejnë, kanë blerë, është një gjë, të cilën duhet ta diskutojmë, sepse sektori i ndërtimtarisë është kyç për komunën tonë.

Pra, duhet të shohim se si duhet të hapim mundësi për banim të përballueshëm, për ata njerëz që nuk i kanë pagat e larta, po duan të blejnë, pra këto janë gjëra, të cilat duhet t’i diskutojmë.

Në të kaluarën nuk ka qenë edhe aq mirë. Kemi probleme për shembull prej më banaleve që në momentin kur dikush e ka marrë lejen, pastaj gjeodetët të cilët e kanë matur, nuk e kanë matur mirë, ose e kanë matur qëllimisht keq dhe është bërë tejkalim edhe aty. Dhe, ideja tjetër është që ne tash kemi edhe sistemin e mbikëqyrjes së ndërtimit që ka qenë më ndryshe dhe duhet ta ndryshojmë, sepse në qoftë se kërkohet nga Inspeksioni që i ka 10 inspektorë të ndërtimit, ta mbulojnë krejt Prishtinën edhe ta mbikëqyrin çdo ndërtim që bëhet, atëherë kjo është problematike.

Prandaj, ne jemi në reformë e sipër të Inspeksionit dhe, po ashtu, të fillojmë diskutimet edhe me Ministrinë të shohim se cilat janë mënyrat tjera të mbikëqyrjes që do ta lehtësonin punën pak, në mënyrë që standardet të jenë të mbuluara, por në të njëjtën kohë edhe që të kemi rregull.

Kur diçka thuhet se po ndërtohet në një mënyrë, të sigurohemi se është po ajo mënyrë, për të cilën e ka marrë lejen dhe që siguron edhe jetën e qytetarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar se keni gjetur edhe shumë parregullsi nga udhëheqja e kaluar. Keni arritur t’i sanoni ato parregullsi?

SHPEND AHMETI

Në Inspeksion mendoj se i kemi rregulluar pothuajse të gjitha. Është e vërtetë që janë arrestuar 10 inspektorë të ndërtimit – nuk dua të paragjykoj fajësinë e tyre, nuk them se të gjithë janë të fajshëm, megjithatë kjo i mbetet hetuesisë dhe Prokurorisë që ta çojnë procesin deri në fund. Aty ku kemi gjetur parregullsi menjëherë kemi iniciuar procedura disiplinore brenda komunës ashtu siç e parasheh ligji.

Ata, të cilët kanë qenë në vepra penale, menjëherë janë suspenduar nga puna. Domethënë ideja ka qenë që në momentin kur unë zbuloj diçka, menjëherë të hyhet në procedura. Targetimi është që ta ndali më të keqen e madhe, a ka mundësi që dikush i ka marrë 5 euro diku për ta kryer një punë. Ndoshta ka mundësi edhe më tutje, por ideja kur fillon në kokë dhe e ndal korrupsionin e madh, nepotizmin e madh, atëherë ajo, me efektin e madh do të shkojë edhe deri te nivelet më të ulëta të administratës dhe unë besoj që në një periudhë shumë të shkurtër, unë do të mund të them me siguri të plotë që nuk ka absolutisht kurrfarë parregullsie në komunën e Prishtinës.

Unë tash jam në bashkëpunim edhe me disa organizata joqeveritare . Këtu na nevojitet ndihma e qytetarëve, kur gjendet ndonjë parregullsi, është e rëndësishme, të paraqitet menjëherë në mënyrë që ne të mund të veprojmë. Nëse qytetarët heshtin, atëherë e kemi problem edhe ne që të reagojmë, sepse ne po flasim për një qytet që i ka 400 mijë banorë, po them 200 mijë zyrtarisht, por këtu i ka gati 400 mijë dhe besoj që gjysmë milioni njerëz kalojnë për çdo ditë në Prishtinë. Dhe, do të ishte mirë që të japim një shembull jo vetëm në Kosovë, po edhe në rajon se mund të punohet drejt, pa kurrfarë problemi, e dallavere. Ne jemi të interesuar që ta pastrojmë komunën e Prishtinës nga korrupsioni e nga nepotizmi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG