Ndërlidhjet

Kiev: Rebelët po shkatërrojnë dëshmi të rrëzimit të aeroplanit

  • RFE /RL

Pro-rusë në vendin e ngjarjes, ku u rrëzua aeroplani

Pro-rusë në vendin e ngjarjes, ku u rrëzua aeroplani

Qeveria e Ukrainës ka thënë se rebelët pro-rusë, “me ndihmën e Rusisë” janë duke bërë përpjekje që të shkatërrojnë dëshmitë në zonën ku është rrëzuar aeroplani i “Malaysian Airlines”, derisa fluturonte mbi territorin e kontrolluar nga rebelët pro-rusë.

Goditja e këtij aeroplani me raketë ka varë 298 personat që ishin në bord.

Një komunikatë e Qeverisë së Ukrainës e publikuar të shtunën “zyrtarisht thotë se terroristët, me ndihmën e Rusisë, janë duke bërë përpjekje që të shkatërrojnë dëshmi të një krimi ndërkombëtar”.

Komunikata, gjithashtu, thekson se separatistët kanë larguar 38 trupa dhe i kanë vendosur ata në morgun e Donjeckut, ku thuhet se specialistë me “aksent të fortë rus” janë kërcënuar se do të kryejnë vetë autopsinë e trupave”.

Më 18 korrik, separatistët në zonën ku është rrëzuar aeroplani kanë thënë se ata kanë marrë dy “kuti të zeza”, që përmbajnë të dhëna të fluturimit, e të cilat do të mund të ndihmojnë në gjetjen e arsyes së rrëzimit të aeroplanit.

Mirëpo, një nga liderët separatistë në Donjeck e ka tërhequr këtë deklaratë, duke thënë se asnjë kuti e zezë nuk është gjetur dhe se ai shpreson që ekspertët ndërkombëtarë të jenë në gjendje të gjejnë dëshmi të rëndësishme.

Liderët separatistë kanë premtuar se do të lejojnë inspektorët e OSBE-së për të pasur qasje në zonën ku është rrëzuar aeroplani.

Mirëpo, luftëtarët separatistë janë duke bllokuar qe dy herë rreth 30 ekipe të monitoruesve të OSBE-së që të shkojnë te zona e duhur.

Zëdhënësi i OSBE-së, Michael Bociurkiv, ka thënë se “ne jemi përballur me një personel ushtarak që është sjellë shumë keq dhe në mënyrë joprofesionale. Disa prej tyre dukej sikur janë të dehur”.

Megjithatë, Këshilli i Sigurisë së Ukrainës ka thënë se pjesëtarë të Ministrisë së Emergjencave të Ukrainës kanë qenë në gjendje që të eksplorojnë rreth 75 për qind të zonës ku është rrëzuar aeroplani dhe ka lokalizuar trupat e 186 pasagjerëve.

Këshilli, gjithashtu, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion rreth cilësdo prej kutive të zeza të aeroplanit të “Malaysian Airlines”, ndërsa kutitë me të dhëna të këtij aeroplani, nuk u janë dorëzuar atyre nga separatistët.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dje në mënyrë unanime ka bërë thirrje për një hetim të plotë ndërkombëtar të rrëzimit të aeroplanit, ku u vranë 298 personat që ishin në bord.

KS i OKB-së u ka kërkuar të gjitha palëve që të lejojnë qasjen në vendin e ngjarjes të hetuesve.

Një ekip i ekspertëve të Malajzisë, gjithashtu ka arritur në Kiev më 19 korrik, por të njëjtit gjithashtu janë bllokuar nga rebelët pro-rusë në zonën ku është rrëzuar aeroplani.

Ministri i Transportit të Malejzisë, Liow Tiong Laisaid, ka thënë se është “jo-njerëzore” prej separatistëve që të bllokojnë hetuesit dhe se autoritetet “duhet të sigurojnë se drejtësia do të sundojë”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se dëshmitë lënë të kuptojnë se aeroplani është goditur nga një raketa tokë-ajër që është lëshuar nga territori që kontrollohet nga separatistët pro rusë.

Obama gjithashtu ka thënë se rrëzimi i këtij aeroplani duhet të shërbejë si “thirrje zgjimi për Evropën dhe botën”.

Obama e ka akuzuar Rusinë që po i lë separatistët të dërgojnë armë në pjesën lindore të Ukrainës prej Rusisë, ndërsa e ka kritikuar Moskën se ka dështuar të ndalojë dhunën, e cila është fajtore edhe për rrëzimin e aeroplanit.

Në një komunikim telefonik dhe postime online, luftëtarët separatistë fillimisht janë krenuar për rrëzimin e një aeroplani në lindje të Ukrainës më 17 korrik, para se të bëhej e qartë që fjala është për një aeroplan pasagjerësh civilë.

Mirëpo, liderët e Republikës së vetëshpallur të Donjeckut tani hedhin poshtë çfarëdo përfshirje, ndërsa thonë se ishin forcat ajrore ukrainase ato që e rrëzuan aeroplanin.

Ministri e Mbrojtjes së Rusisë i ka fajësuar trupat tokësore të Ukrainës duke thënë se ushtria ruse ka regjistruar aktivitete në radar prej sistemit raketor të Ukrainës në pjesën jugore të Donjeckut në kohën kur aeroplani i “Malaysia Airlines” u rrëzua.

Mirëpo, kryeministri australian, Tony Abbot, e ka sulmuar Rusinë që po mundohet t’ia lë fajin Ukrainës.

Abbott ka thënë se Rusia “duhet të fajësohet në mënyrë substanciale” për problemet në Ukrainë”. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG