Ndërlidhjet

logo-print

OKB: KS unanimisht e dënoi rrëzimin e aeroplanit

  • RFE /RL

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara unanimisht e ka miratuar rezolutën me të cilën u dënua rrëzimi i aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë, në pjesën lindore të Ukrainës, me 298 vetë në të, dhe ka kërkuar që grupet e armatosura të lejojnë “qasje të sigurtë, të plotë dhe të pakufizuar”.

Këtë rezolutë të propozuar nga Australia, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi të hënë vonë, pas një periudhe intensive të negociatave dhe presionit të gjerë ndaj Rusisë, që të votoj në favor të rezolutës.

Ministrja e jashtme e Australisë, Julie Bishop, e cila ka qëndruar në selinë e OKB-së në Nju Jork, për të zhvilluar negociata për rezolutën, tha se rrëzimi i aeroplanit është gjë “absolutisht e tmerrshme”.

“Të gjithë ata ishin njerëz të pafajshëm në një aeroplan komercial. Aeroplani i tyre u godit mbi territorin që kontrollohet nga separatistët në pjesën lindore të Ukrainës. Kjo është absolutisht e tmerrshme”, tha Julie Bishop.

Ajo theksoi se është borxh “ndaj viktimave dhe familjeve të tyre të përcaktojmë se çka ka ndodhur dhe kush ishte përgjegjës”.

Ministri i jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të siguroj se mbetjet e viktimave mund të dërgohen në shtëpitë e tyre sa më parë që të jetë e mundshme.

Ai tha se “derisa të jem gjallë nuk do ta kuptoj përse është dashur kaq shumë kohë që ekipet e shpëtimit të lejohen ta bëjnë punën e tyre të vështirë dhe që mbetjet njerëzore të shfrytëzohen në lojën politike”.

Në rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë janë vrarë 193 shtetas të Holandës dhe 37 të Australisë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet i kanë fajësuar kryengritësit pro-rusë për rrëzimin e aeroplanit.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, tha se nuk do të kishte nevojë për rezolutë, sikur Rusia të kishte bërë presion ndaj kryengritësve, për t’i lejuar ekspertët ndërkombëtarë që ta vizitojnë vendin e rrëzimit.

Ajo ka theksuar:

“Ekziston një palë nga e cila kemi dëgjuar shumë pak dënim dhe kjo është Rusia. Rusia ishte e zëshme në çështjet e tjera. Zyrtarët rusë publikisht kanë shprehur insinuata se Ukraina ka dorë në përplasje. Të premten, Rusia i fajësoi kontrolluesit e trafikut ajror të Ukrainës për këtë sulm, por nuk i ka dënuar kriminelët që e kanë qëlluar aeroplanin. Prej atëherë, Rusia ka filluar ta fajësoj Ukrainën për sulm, megjithëqë raketa ka ardhur nga territori separatist, për të cilin Rusia e dinë shumë mirë se Ukraina ende nuk e ka rikthyer”, tha Samantha Power.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se ai është i kënaqur që Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil do të ketë rol udhëheqës në hetime dhe e ka mirëpritur shpalljen se Holanda, po ashtu, do të ketë njërin nga rolet udhëheqëse në këtë proces.

Votimi në Këshillin e Sigurimit u bë pas negociatave gjatë fundjavës për t’i kapërcyer vërejtjet e Rusisë ndaj tekstit.

Ambasadori i Ukrainës në OKB, Yuriy Sergeyev, po ashtu, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se e mirëpret rezolutën dhe ka bërë thirrje që grupet kryengritëse nga bota të konsiderohen si organizata terroriste. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG